Gjilan – (2LONLINE) – Është ekspozuar projekti ideor për rregullimin e rrugës Adem Jashari dhe Zija Shemsiu, i cili është në dëgjim publik dhe i hapur për qytetarë në hollin e Teatrit të Qytetit ku mund të paraqesin vërejtjet sugjerimet dhe komentet të cilat do të regjistrohen dhe do të merren parasysh.
Me këtë rast në hapje të këtij dëgjimi publik i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa i cili ka falënderuar Un Habitat, për angazhimin në këtë projekt, i cili është duke ndodhur në kuadër të planit të mobilitetit, pas rregullimit të rrethrrotullimit si projekt i parë në lagjen Iliria dhe projektit të dytë të semaforëve.
Mustafa tha se ky është projekti i tretë që domosdo do të ketë funksionin shumë të madh po aq sa edhe dy projektet paraprake. Kjo po bëhet në funksion të ristrukturimit të qytetit dhe modernizimin e tij. Kjo po bëhet bashkë me Un Habitat-in që edhe në realizim të projekteve marrin pjesë me financa. Ne punën e kemi bërë mirë, këtij procesi i kemi vënë themelet dhe është në binar të mirë për ta lëvizur Gjilanin shpejt kah standardet që i shërben qytetarit me shërbime të shpejta dhe të sakta për qytetarët. Janë bërë akte të ndryshme në zhvillim përmes strategjisë për mobilitet, asaj për ndriçim publik dhe shumë të tjera që qytetarët po prekin projektet më pas të studiuara mirë nga ekspertët e Komunës së Gjilanit dhe atyre ndërkombëtar.
Ndërsa, përfaqësuesja e Un Habitatit, ka thënë se ky program i hartuar nga USAID – DEMI, është duke u proceduar më tutje prej Komunës së Gjilanit dhe Un Habitat-in, e që janë shumë të domosdoshme dhe të mirëpritura sugjerimet e qytetarëve të këtyre dy rrugëve por pse jo edhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Ajo ka thënë se është shumë mirë të punohet në rregullimin e rrugës me më pak lëvizje motorike, në një qytet me një fluks shumë të madh të qytetarëve që lëvizin brenda një ditë.
Enver Biçku, zyrtar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike tha se ky projekt është arritur deri në këtë projekt ideor pasi janë bërë anketa me qytetarë, analizimin e udhëkryqeve, lidhjeve dytësore të kësaj rruge, infrastrukturën ekzistuese aty, dhe projektin se si do të duket kjo rrugë në të ardhmen. Ne pretendojmë të ndërmarrim hapa të duhur në riorganizimin e kësaj rruge, në mënyrë që të mundësohet një zhvillim edhe më i qëndrueshëm ekonomik. Ky projekt do të nis së realizuari pasi të inkorporohen të gjitha sugjerimet tuaja, në mënyrë që të merren hapa të duhur dhe funksional. Në këtë rrugë është i paraparë edhe qarkullimi i transportit urban, që është kaluar në Komitetin për Partneritet Publiko – Privat, por presim kompletimin e dokumentacionin për shpalljen e tij.
Sipas analizave vërejmë se kjo rrugë është e ngarkuar me këmbësor, për shkak të kompleksit të shkollave dhe Universitetit Publik, dhe ky projekt ka prioritet rregullimin e trotuareve, çiklizmin, transportin urban dhe mjeteve motorike që është i radhitur në shkallën e katërt.
Ndryshe kjo rrugë si projekt ideor është i hapur në një ekspozitë në hollin e Teatrit të Qytetit ku mund të jepen sugjerimet për përpilimin përfundimtarë të këtij projekti. /2lonline/