Qytetarët e Luginës të cilët me veturat e tyre nga mesnata do të udhëtojnë në drejtim të Republikës së Kosovës do të duhet të jenë të pajisur me sigurim
Qytetarët e tri komunave të Luginës do të duhet të kenë sigurim të automjetit në mënyrë që të hynë në Kosovë. Fjala është për kartonin e gjelbër, sigurim ky i cili nxirret në kompanitë e sigurimeve në Serbi.
Siç ka mësuar Titulli nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, ato makina me targa të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilat nuk kanë kartonin e gjelbër (që kushton 3000 dinarë për një vit), do të jenë të detyruara të paguajnë policën e sigurimit të Kosovës, i cili sikurse deri më tani kushton 20 euro për 7 ditë.
Gazetarët e Titullit sot qëndruan në pikën kufitare Konçul – Dheu i Bardhë që lidhë Serbinë me Kosovën, në komunën e Bujanocit.
Edhe pse zyrtarët policorë nuk dhanë informacione, mediumi ynë në mënyrë jozyrtare mësoi se kjo pikë kufitare si dhe ajo në Muçibabë të Preshevës tashmë kanë marrë urdhëresat zyrtare rreth lejimit të hyrjes së makinave nga Lugina, që do të zbatohet nga data 21 tetor.
Gjithnjë sipas informacioneve të konfirmuara, të drejtë të lirisë së lëvizjes pa paguar policën e sigurimit do të kenë vetëm veturat e udhëtarëve, por jo edhe ato për bartjen e mallrave.
Përfitues të lëvizjes pa taksë, përveç shqiptarëve, do të jenë edhe qytetarët serb dhe romë që kanë vendbanim në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kjo e drejtë do t’i mohohet atyre qytetarëve të cilët janë nga këto komuna ndërsa vozisin makina me targa të vendbanimeve të tjera të Serbisë, edhe pse kanë autorizim për ngasje.
Qeveria e Kosovës mori vendim për heqjen e taksave ndaj qytetarëve të Luginës të cilat me veturat e tyre udhëtonin drejt territorit të Kosovës, duke marrë përsipër kompensimin e këtij sigurimi ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Paralajmërimin për heqjen e policës së sigurimit, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e bëri më 9 tetor, pas takimit që pati me liderët shqiptarë të Luginës.
Heqjen e policës së sigurimit, Lëvizja “Vatra” me seli në Gjilan, do ta manifestojë sonte në mesnatë në pikën kufitare Konçul – Dheu i Bardhë./Titulli.com/