(2LONLINE) – Hajnat përveç që kryejnë krimin e vjedhjes, ata lënë shpesh herë pas vete edhe “zarar’” të madh. Kjo vlen sidomos për hajnat e bakrit, pasi sigurisht “përfitimi “ i tyre është tejet i vogël në krahasim me dëmin e madh që e shkaktojnë duke i dëmtuar ato pajisje nga e cila e vjedhin bakrin.
Rasti më i freskët është regjistruar në Kamenicë dhe cak ka qenë “Hidromorava”. Aty hajnat kanë marrë një trafo të ujit të cilën e kanë dëmtuar për t’ia marrë bakrin, e vlera e dëmit vlerësohet të jetë 800 euro, sigurisht larg nga ajo që mund të kenë përfituar hajnat nga krimi i tyre.
Ismet Hashani zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit ka thënë se përgjegjës i ujësjellësit “Hidromorava” në Kamenicë ka raportuar policisë se persona të panjohur kanë hyrë brenda rrethojës së objektit të ujësjellësit “Hidromorava” dhe kanë nxjerrë jashtë rrethojës një trafo të ujit e cila ka qenë jashtë përdorimit dhe me ketë rast e kanë demoluar atë, ku kanë marrë një sasi të bakrit.
Sipas ankuesit vlera e demit të trafos është rreth 800 € . Me rastin, që nga policia është vlerësuar si “vjedhje e rëndë”, po merren njësitet përkatëse të policisë.
Përndryshe, edhe në nëntor të vitit të kaluar hajnat ja kishin mësyer Hidromoravës, por atëherë në Gjilan, ku kishin vjedhur po ashtu një trafo në fushën e puseve në Velekincë, e duke shkaktuar kështu dëme, që sipas zyrtarëve të “Hidromoravës kapnin shumë prej 5 mijë euro.
Në atë rast si rrjedhojë e kësaj vjedhjeve, një pjesë e Gjilanit kishte mbetur edhe pa ujë duke përfshirë edhe Spitalin Rajonal. Ishte hera e dytë që vidhej trafo në të njëjtën pikë.
Përndryshe, në vitin 2012 ishin vjedhur edhe bustet e dy dëshmorëve të kombit, Pajazit Ahmeti dhe Alban Ajeti, që ishin të vendosur në hyrje të ish-objektit të komandës së FSK-së, e që tash është destinuar për bibliotekën e re rajonale në Gjilan, Më, pas policia kishte kapur hajnat. Ata kishin tentuar ti shitnin bustet në një hekurishte. Me qëllim të bartjes sa më të lehtë edhe i kishin copëtuar.
Të mos flasim pastaj për raste të shumta, kur nga shtëpitë e boshatisura apo edhe ato në ndërtim vidhen kabllo e rrjetit elektrik, apo edhe vjedhja e kapakëve të pusetave që ka qenë e shprehur bukur fortë në Gjilan.
Hajnat e tillë dikush duhet t’i stopojë dhe t’ia faturoj të gjitha dëmet që i shkaktojnë krahas dënimit për veprën e kryer. 2lonline/