/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Administratës së Përgjithshme (DAP) ka shprehur shqetësimet e saja në lidhje me sistemin e ri të intranetit që ka filluar të aplikohet nga sot, pasi sipas drejtuesve të DAP-it, qysh në ditën e parë janë paraqitur telashe dhe kjo ka shkaktuar edhe tollovi dhe pengesa në punë, e me këtë edhe pakënaqësi tek qytetarët që kanë kërkuar sot shërbimet nga kjo drejtori.
Nazim Gagica, drejtori i Drejtorisë së Administratë së Përgjithshme në Gjilan, ka adresuar kritikat e tij në adresë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për instalimin e këtij sistemi pa e testuar paraprakisht dhe menjëherë pas një pushimi katërditor për festat e fundvitit, në vend se ky sistem të futej gradualisht në përdorim.
Gagica tha se pas pushimit, në ditën e parë të punës, fluksi i qytetarëve për të kërkuar shërbime ka qenë i madh, ndërkohë që aplikimi i sistemit të ri të intranetit që është ndërruar nga MAPL-ja, sidomos pjesa e inkasimit të shërbimeve, nuk ka qenë në nivel dhe ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe te zyrtarët edhe te qytetarët.
Gagica ka thënë se para zëvendësimeve të sistemeve të tilla është dashtë të bëhet një testim ose sisteme të tilla të implementohet hap pas hapi dhe kur të shihet funksionimi i mirë, atëherë të punohet plotësisht me sistem të ri.
Gagica ka kritikuar MAPL-në që ka vendosur menjëherë të fillohet me sistemin e ri, në fillim të këtij viti, në ditën e parë të punës e që kjo ka shkaktuar telashe pasi kërkesat e qytetarëve ishin shumë të mëdha e sistemi i ri nuk ishte funksional, andaj edhe tollovitë ishin evidente. Drejtori i Administratës së Përgjithshme të Gjilanit ka thënë se janë të shqetësuar për këtë dhe kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, duke bërë fajtor MAPL-në për këtë. /2L ONLINE/