(2L ONLINE) – Po vazhdon kontributi u qytetarëve të vullnetit të mirë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që vuajnë nga problemet me strehim dhe banim në komunën e Gjilanit.
Bashkatdhetarët Esat Gashi që jeton New York dhe Bekim Emini që jeton në në Berlin të Gjermanisë ia kanë konfirmuar dje kryetarit të Komunës Lutfi Haziri se janë të gatshëm t’i ndërtojnë dy shtëpi për familjet në nevojë.
Kreu i Komunës Lutfi Haziri e ka falënderuar z. Gashi dhe z. Emini për vullnetin e tyre për t’i ndihmuar njerëzve që kanë nevojë më së shumti, duke thënë se kontributi i mërgimtarëve tanë në ndihmë kosovarëve nuk ka munguar asnjëherë, në asnjë rrethanë.
Me këto dy shtëpi të premtuara dje, numri i donatorëve që kanë premtuar në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne shumë për ata” dhe janë zotuar për ndërtim të tyre me çelësa në dorë arrin në 12 sosh.
Ndryshe, në fondin e Komunës janë mbledhur afro 90 mijë euro dhe mbi 20 mijë franga zvicerane nga qytetarët e vullnetit të mirë. Pesë shtëpi kanë nisur së ndërtuari sipas kërkesave të qytetarëve, derisa po meremetohen edhe disa shtëpi të tjera. /2L ONLINE/