/2L ONLINE/ – Vazhdojnë zhvillimet e reja në kompaninë EcoHigjiena në Gjilan. Punëtorët atje po refuzojnë të punojnë duke kërkuar të dorëhiqet menjëherë UD i drejtorit ekzekutiv Senad Ramaj. “Nga sot e Hëne date 18 Korrik 2016 nuk do të punojmë, nuk do të hyjmë në zyrat e kompanisë dhe nuk do të njohim asnjë këshillë udhëzim për kthim në vendin e punës nga ky njeri i papërgjegjshëm”, thuhet në një shkresë të Këshillit të punëtorëve të “Eco-Higjiena”, të cilën ia kanë adresuar, Kryetarit të Komunës, Lutfi Hazirit, Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzakut, Drejtorit të Shërbimeve Publike, Naser Korçës si dhe Komisionit të Aksionerëve të Kompanisë EcoHigjiena.
Përndryshe, punëtorët kanë ndërprerë punën dhe po qëndrojnë para objektit të kompanisë, duke refuzuar të punojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre. Ata thanë se do të qëndrojnë deri sa të jetë orari i punës dhe prapë nesër do të vijnë para kompanisë për të vazhduar grevën njëjtë.
Në anën tjetër, brenda objektit të boshatisur vazhdonin punën e tyre, drejtori ekzekutiv i”EcoHigjiena”, Senad Ramaj dhe Gerhard Dummer, kryesues i Bordit të Drejtorëve, përfaqësues i Mosser-it, që ka të drejtën e 51 për qind të kësaj Kompanie që iu kishte nënshtruar vite më parë partneritetit publiko privat.
Ata thanë se zyrtarisht nuk janë në dijeni për këtë kërkesë, por e kanë quajtur absurde këtë veprim të punëtorëve. Ata thanë se i kanë ftuar punëtorët në dialog por që ata kanë refuzuar. Për ta, punëtorët duhet t’i kthehen punës, të punojnë sipas kontratës që kanë, t’i kryejnë obligimet dhe t’i marrin përgjegjësitë, sikurse njëjtë do të bëj edhe menaxhmenti. Ata thanë se është një pjesë e punëtorëve që po refuzon të punojë për shkak se janë të manipuluar, andaj i kanë ftuar t’i thërrasin arsyes e të kthehen në vende të punës.
Përndryshe, Këshilli i Punëtorëve i Kompanisë “ EcoHigjiena “ tha se janë të vendosur në veprimet që i kanë ndërmarrë. Në shkresën e tyre drejtuar adresave të lartpërmendura thuhet se këshilli i punëtorëve i kompanisë janë të shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit në kompani, me sjelljen e sigurimit privat, ndërrimit të çelësave të dyerve të kompanisë, tërheqjen e dyshimtë të dokumenteve nga kompania… dhe se kërkesë e tyre mbetet po ajo e ditës së premte që e shtruar edhe para përfaqësuesve te Komunës për dorëheqje të menjëhershme të UD të drejtorit ekzekutiv Senad Ramaj.
“Kërkesa jonë për dorëheqje është e arsyeshme sepse ky njeri qe nga e premtja nuk ka respektuar asnjë pikë nga marrëveshja e arritur mes Këshillit të Punëtorëve dhe përfaqësuesve të Komunës, ka filluar me presionin ndaj menaxhmentit dhe punëtoreve për suspendim nga puna. Gjithashtu që nga ardhja e tij në këtë pozitë vitin e kaluar, gjatë gjithë kohës i shantazhon punëtorët, ju bënë presion të vazhdueshëm, i denoncon neper Gjykata dhe Polici pa asnjë arsye të vetme, nuk përfillë në asnjë pikë ligjin e punës”,, thuhet në arsyetimin e dhënë.
Po ashtu sipas këtij Këshilli të punëtorëve kemi mos përmbushje të obligimeve për investime nga ana e partnerit privat që ka bërë që kompania të futet në qorrsokak çka tash kemi mbetur me mekanizëm te vjetruar dhe nuk po kemi mundësi as ne mirëmbajtjen e tyre.
“Partneri privat lere që nuk ka investuar por edhe ka shitur asestet tona,vlera kontabël e këtyre aseteve të shitura është mbi 200 mije euro ku edhe më shumë na ka pamundësuar kryerjen e shërbimeve për klientët tanë. Gjendja e kontejnerëve ne teren 1.1 m3 ne teren është e mjerueshme sepse 60% e tyre është thuajse e pa përdorshme. Ne si kompani jemi ne pozitë te vështir financiare dhe muaji shtator për ne, mund të sjellë ethe për arsye se skadon afati i faljes se borxheve nga ata e ATKs, ne si kompani kemi obligime rreth 700 mije euro. Nuk është bere pagesa por as riprogramim te borxheve dhe si rezultat i kësaj papërgjegjësie do te vije deri te bllokimi i llogarive dhe njeherit bllokimi i kompanisë ne aspektin e funksionimit te përgjithshëm çka do të thotë se do te mbesin ne rrugë 170 punëtor,nuk do te mund te kryhen shërbimet ndaj klientëve dhe do te vije deri te një katastrofë ambientale ne tere regjionin” thuhet ndër tjerash në shkresën në fjalë.
Po ashtu vazhdon shkresa: mos falja e borxheve konform ligjit për faljen e borxheve si kompani na ka sjellë telashe te mëdha me çka kemi humbur imazhin tek klientët tanë. Kamionët e sjellë ne emër te “Ecovisionit”, në mënyrë të kundërligjshme i ka futur në kompaninë e re “EcoHigjiena” me te cilën shfrytëzon qiranë mujore 2500 euro dhe te cilën e deklaron si investim në Kompani…
“Ne Këshilli i Punëtoreve te kompanisë “EcoHigjiena” me mbështetjen nga punëtoret dhe menaxhmenti i kompanisë ju njoftojmë se nga sot e Hëne date 18 Korrik 2016 nuk do te punojmë, nuk do te hyjmë ne zyrat e kompanisë dhe nuk do te njohim asnjë këshillë udhëzim për kthim ne vendin e punës nga ky njeri i papërgjegjshëm. Ne do te mbrojmë kompanisë nga kjo e keqe e cila ka marr rrugë të mbrapsht që nga futja në partneritet në vitin 2012. Andaj kërkojmë nga ju si përfaqësues te qytetarëve që të intervenoni urgjentisht dhe ta zgjidhni këtë të keqe të madhe që po i kanoset kësaj kompanie dhe këtyre punëtoreve”, thuhet ndër tjerash në shkresën e Këshillit të Punëtoreve i Kompanisë “ EcoHigjiena “, të dërguar në adresë të kreut të komunës, disa drejtorëve komunal dhe aksionarëve të kompanisë.
Nga ana tjetër, Gerhard Dummer, ushtrues i detyrës së kryetarit të bordit të kompanisë, i autorizuar nga Dr Kristian Moser, përndryshe i autorizuar edhe për pronësinë prej 51 për qind të Moser Grup. tha për Portalin 2L ONLINE, se nuk janë njoftuar zyrtarisht me këtë kërkesë, por se edhe ashtu, kjo është absurde nga ana e punëtorëve që ata të vendosin se kush ka me udhëheqë kompaninë që është detyrë e Bordit me vendos nëse do ndryshime. Dummer tha se përfaqëson Moserin-n që ka të drejta 51 për qind në këtë kompani dhe se në këtë drejtim është e drejtë e punëtorëve të dialogojnë me ta, t’i parashtrojnë kërkesat e tyre, të cilat do të shqyrtohen, por jo në këtë mënyrë. Ai tha se i kanë ftuar disa herë për të biseduar por ata po e refuzojnë dialogun.
Për Dummer-in një pjesë e punëtorëve që po reagojnë në këtë mënyrë janë të nxitur nga ish menaxherë të kompanisë që po mundohen të udhëheqin ilegalisht me kompani. Çështjet e ngritura nga punëtorët nuk janë çështje në domenin e tyre, ata duhet t’i kthehen punës sepse me refuzimin e punës ata po e pamundësojnë mirëmbajtën e higjienës dhe rrezikojnë ambientin dhe njerëzit në Gjilan.
Ai tha se pret që punëtorët të reflektojnë, të dialogojnë dhe t’i kthehen punës, duke i përmbushur obligimet e tyre ligjore, të mos vije deri te detyrimi që menaxhmenti të marrë veprime bazuar në ligj pasi konsekuencat për këto veprime në bazë të ligjit dhe rregulloreve të punës mund të qojnë deri në largimin e tyre nga puna, por që shpresohet se kjo nuk do të ndodh, dhe ata do të fillojnë me punua.
Dummer edhe njëherë përsëriti se prapa atyre që po refuzojnë të punojnë qëndrojnë ish menaxherë që po ndikojnë te një pjesë e punëtorëve. Megjithëkëtë zhvillim të tanishëm, Dummer tha se po e konsultojnë ligjin dhe nuk e kanë të drejtën për ta detyruar askënd të punojë, nëse ai nuk do, por se ka mundësi të ndërprerjes së kontratave dhe do të jenë të detyruar të kërkojnë punëtorë të tjerë që duan të punojnë.
Përndryshe, ai tha se për këto katër vite, si kompani austriake, kanë realizuar projekte, kanë punuar mirë, kanë investuar dhe me mund e punë të lodhshme kanë bërë që situata në këtë kompani të përmirësohet dukshëm, por tani që kompania është në rrugë të mirë dikush mundohet të përfitojë nga brenda për ta marr kompaninë. Ai vlerësoi edhe raportet e mira që i kanë me komunë.
Përndryshe, ai tha e po presin të shohin si do të rrjedhin gjërat, dhe se shpreson që punëtorët t’i kthehen punës dhe kjo ditë e sotme të vlerësohet veçse si një ditë pushimi, se për çështje tjera janë rrugët tjera dhe akterë tjerë që do merren me to.
Nga ana e tij, drejtorit ekzekutiv i “EcoHigjiena” Senad Ramaj, dorëheqja e të cilit po kërkohet, i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se kontratat e punës përfshijnë obligimet dhe përgjegjësit për secilin dhe se duhet të respektohet ligji dhe rregulloret e punës. Megjithatë, ai tha se nuk e ka të drejtën askënd ta detyrojë të punojë nëse nuk do. Sa i përket veprimeve të fundit të ndërmarra për çka atakohet nga punëtorët, ai rikujtojë se menaxhmenti duhet ta kryej punën e tij dhe se parneri privat ka 51 përqind dhe për punët e saja që duhet kryer është absurde të pengohet nga punëtorët. Ramaj thotë se megjithatë ai do që situata të qetësohet thotë se është për pozitivet dhe nuk është i interesuar tëi“fryej” situatës, dhe se edhe në mëngjes i ka lutur punëtorët t’i kthehen punës. Krejt çfarë do dhe kërkon Ramaj është që të respektohet ligji, nga se siç shprehet, ai, “askush nuk ka të drejtë që dikush ta kap ligjin në krah”.
Ai po ashtu i ka hedhur poshtë akuzat e punëtorëve se ka pas presione, shantazhe, kërcënime për suspendime dhe largime nga puna. Ramaj tha se këto nuk qëndrojnë, ka raste kur punëtorët janë shpërblyer për punën e mirë por se natyrisht edhe ka raste individuale kur për shkak të shkeljeve të rregullores së punës, të tillët edhe iu janë nënshtruar procedurave të masave disiplinore që parashihen.
Ai ka pohuar se nesër është takimi i Bordit të Kompanisë dhe do të shohim si do të ecin punët. Ramaj shpreson se punëtorë do t’i kthehen punës, do të respektojnë ligjin dhe rregulloret e punës, përndryshe nëse nuk duan të punojnë, do të veprohet konformë ligjit, pa përjashtuar mundësinë e punësimit të punëtorëve të ri, të atyre që duan të punojnë.
Megjithatë, Ramaj tha se ndihet i prekur me këto zhvillime, me këtë imazh që po i japim botës demokratike, pasi përkundër përpjekjeve të tërheqjes së investitorëve të huaj, ne po iu japim atyre këtë pasqyrë, që nuk do koment. /2L ONLINE/