Shkruan: Sami HALITI
(2L ONLINE) -Një paragjykim popullist konsiston në atë se flokët e gjata janë simbol i bukurisë, mustaqet simbol i burrërisë, ndërsa mjekra konsiderohet si simbol i mençurisë dhe intelektualitetit. Ekziston një perceptim mjaftë i gjerë, bile thuajse koncesual, pa marrë parasysh vendin, kohën, regjionin po edhe religjionin, se mjekra tregon intelektualitetin e njeriut. Por nga ana tjetër ekziston edhe shprehja se “Mjekra nuk të bën filozof”!
Këto sekuenca kontradiktore, do të na shërbejnë për të diskutuar raportin në mes të formës dhe substancës, dukjes dhe përmbajtjes, fenomenales dhe noumenales. Debalancin mes tyre. Për këtë dualizëm, debatet janë të shumta dhe vjetra sa edhe vet mendimi. Mjekra, si formë, aparencë, dukje, nuk të bën filozof, por, ajo megjithatë e shpërfaq një mesazh, shenjë, e cila tërheq vëmendjen duke simbolizuar mençurinë. Pra të qenit filozof, intelektual, i ditur. Dhe ky lloj momenti, sikurse shumë të tjerë në kontekste të tjera, mundë të keqpërdoret. Dhe mendoj se po keqpërdoret.
Në një nga definimet e shumta të Filozofisë, nënvizohet se ajo është dashamirësi ndaj të vërtetës. Ndaj urtësisë. Pa dyshim, Filozofia është përpjekje për të e njohur të vërteten, synim i njohjes së pa interes të çështjeve teorike dhe praktike. Këto janë tiparet, së paku minimale, që përbëjnë , kushtimisht thënë, substancën e të qenit filozof. Të jesh Filozof, do të thotë të jesh në nivel të lartë individualist botëkuptimorë, dhe interpretativ të realitetit, vërtetësisë. Rrjedhimisht, duke qenë kështu, filozofët arrijnë të shtrijnë ndikimin e ideve të tyre në çdo shoqëri. Pos tjerash, edhe si rrjedhojë e këtij ndikimi, ka ndryshime botëkuptimesh shoqërore, ndonjëherë edhe rritje të dimensionit të lirisë njerëzore.
Shoqëria e cila nuk ka, apo nuk prodhon filozof,shoqëria që nuk kultivon dhe konsumon mendimin filozofik, nuk mundë të pretendoj të zë vend në zhvillimet elitare botërore. Dhe e kundërta. Për shkak të deficitit të konsumit të mendimit filozofik, cilado shoqëri, edhe shoqëria jonë, bile aq më shumë kjo, posaçërisht kur ky moment ndërlidhet me elitat apo pseudo elitat e etabluara socio-politike, ka ngecje, bllokime dhe kjo manifestohet me mesazhe të gabuara komunikimi. Deficiti gnoseologjik nga lartë transformohet apo reflektohet edhe në shoqëri. Andaj, shprehja “mjekra nuk të bën filozof”, konvertohet në shprehjen “pozita nuk të bën intelektual”. Pra, dukja, forma, të qenët në pozitë, mjekra (jo)filozofike, nuk të siguron një substancë të tillë.
Në relacion me mendimin shkencorë, filozofik dhe kulturorë, kjo situatë do të thotë se pasojat manifestohen me (mos)komunikim, apo debalanc i anuar në favor të formës. Përmbajtja abstraktohet. Pse një mendim, teori, doktrinë filozofike, trajtim, analizë, kreacion, apo produkt material i prodhuar te ne ka nivele të cilësisht inferiore ekspresiviteti dhe thellësie serioziteti dhe përkushtimi intelektual. Nuk është për të u besuar teoria se ne qenkemi gjenial dhe e gjithë bota na e ka inat se s`do të na kuptoj. Duhet pranuar se cilësia e produksionit intelektual, nuk është e nivelit për të thënë. Shpjegimi i vetëm është se kjo derivon nga kriteret e topitura shoqërore, nga ku përkushtimi i mangët intelektual vlerësohet në superlatv. Disiplina shndërrohet në kokëdhembje. Mediokriteti në kryevepër. Informacioni në diktaturë. Pra, përkushtimi për të prodhuar cilësi është i korruptuar. Cilësia kërkon kohë dhe shumë mund.
Edhe të qenit intelektual është kuptuar cektësish. Vetëm si formë, si dukje, si kravatë, bile si tendencë dominimi. Si aristokraci arrogante. Bile e verbër. Të jesh intelektual në shoqërinë tonë, do të thotë se duhet të jesh i fuqishëm dhe gllamoroz. Të jesh intelektual do të thotë të kesh përgjigje për gjithçka. Aspak të mos jesh modest por mendjemadh gjithsesi. Ky soj intelektualësh origjinën e ka nga një shoqëri ku individët e saj vetëm para disa vitesh pyesnin njëri tjetrin ”A e ke bo bukën e motmotit”.
Më duket se kjo e shpjegon këtë moment frike të pa artikuluar, të pavetëdijshme intelektualizmi formal. Frika nga uria e cila tani është konvertuar në shfrenim për dominim. Për uzurpim të vendeve të punës. Për të u bërë i pakapshëm. Këta janë ata që i ndërtojnë vetes përmendore më të mëdha se që i bënin vetes diktatorët komunist. Rrjedh pyetja, përse kaq shumë korrupsion ndër intelektualët? Athua përse kemi kaq shumë nepotizëm, familjarizim, dhe bajraktarizëm ? Në fakt ky është synimi primarë instrumental i tyre. Sikurse brenga për bukën e fshatarit. Njëkohësisht duke qenë republikanit dhe parimisht duke e pranuar Ligjin civil mbi të gjitha si instancë rregullative.
Kjo frikë ka ndikuar fuqishëm, në fenomenin e hiperproduksionit të intelektualëve të cilët besojnë se kravata, pozita e fuqishme sociopolitike, ua përcaktojnë të qenët intelektual. Jo referencial në tregun akademik, jo relevant dhe pa plasim ne tregun e real të ideve. Të mangët nga mendimet përmbajtjesore, të ashpër në imponime dhe format e plasimit të ideve, imponues dhe arrogant, artificial, të pa natyrshëm, jo modest, përjashtues, të shumtën megaloman ndaj segmenteve të tjera shoqërore, produkt serik diplomash nga kritere të dobëta, andaj të munguar cilësie, këta janë ata që predominojnë modelin somnambul intelektual, që beson se mjekra,pozita, të bën filozof.
Si të e përfundojmë këtë shkrim , pos me një thënie të një nusprodukti të këtillë, të një personazhi reprezentativ i këtij procesi autokton intelektual kur ai thotë” Ne kemi kryer shkolla andaj diturinë tonë do të e përdorim për të bërë që kushtetuta të mos funksionoj?! /2L ONLINE/