Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha se të gjithë lojtarët e Kosovës janë edhe lojtarë të Shqipërisë dhe se e tëra kjo është arritur nga bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës. Në një intervistë për gazetën “Illyria” ai shprehet, se të gjithë shqiptarët e kanë të hapur derën e Kombëtares. Duka ka deklaruar gjithashtu se e sheh të mundshme që në stadiumin e Mitrovicës të luajë ndeshje miqësore edhe Shqipëria.
“Shikoni, unë kam biseduar edhe vetë me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, me trajnerin e Kosovës dhe me të gjithë pothuajse stafin e Kosovës”. “Ne jemi mirëkuptuar për gjithçka! E mira është që ne të bashkëpunojmë, që të arrijmë më të mirat e mundshme për të dyja skuadrat, për futbollin mbarëshqiptar. Dhe, e vetmja mënyrë për të arritur maksimumin është që të bashkëpunosh ngushtë dhe të dëgjosh në një lloj mënyre njeri-tjetrin. Kështu kemi qenë dhe kështu po vazhdojmë, pavarësisht ndonjë skeptiku, që nuk e di, pa dashje e prish këtë klimë”, është shprehur kreu i FSHF-së. A ka lojtarë nga Shqipëria që ju mund t’i jepni leje për të luajtur me Kosovën apo që mund të merret një vendim që ata të mos vijnë më për Shqipërinë? “Jo, jo, jo, jo! Absolutisht po, që çdo lloj futbollisti pa i prishur punë, të shkojë të luajë atje ku dëshiron ai dhe atje ku është më e mira për të dyja skuadrat.
Edhe një futbollist shqiptar le të shkojë të luajë ndeshje miqësore atje, në një kohë që të mos i prishë punë ndeshjeve zyrtare të ekipit të Shqipërisë apo anasjelltas”, ka vijuar presidenti Duka. Rasti i Loret Sadikut, Samir Ujkanit apo Ilir Azemit të Greuther Furth, ndër shënuesit nmë të mirë të Bundesligës 2, janë domethënës. A mund t’i ftoni ata? “Janë të gjithë lojtarët tanë. Janë të gjithë alternative dhe për ne të gjithë e kanë derën të hapur për të luajtur për ekipin kombëtar shqiptar… Ujkani, Sadiku, Azemi dhe gjithë të tjerët”, është shprehur Duka.