/2L ONLINE/ – Debati, siç po thuhet, profesional-shkencor për çështjen e shënjimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, po vazhdon dhe përveç që po e tërheqë vëmendjen e opinion mbarë, natyrisht se atë me vëmendje po e përcjellin edhe analistë të ndryshëm. Por, a po trajtohet tema vërtetë në mënyrë profesionale, sidomos prej asaj pjese përfaqësuese e politikës, është pyetje që do përgjigjje, por edhe shtron nevoja për institute shkencore shtetërore dhe për këshilltarë profesional, për fusha përkatëse.
Njëri nga analistët, Dr Mustafa Bajrami, shprehet se pa marrë parasysh epilogun e debatit të sotshëm mbi demarkimin e kufirit me Malin e Zi, e ku në bazë të asaj që po dëgjojmë, lutemi që të rishqyrtohet propozimi i Komisionit “Meha”, një gjë po duket se duhet ndryshuar, përfundimisht, e që është përvoja e gjertanishme e elitës politike kosovare kur flet për tema të ndjeshme pa konsultimin serioz të shkencëtarëve, profesionalistëve dhe ekspertëve përkatës, e që duhet marrë fund.
“Politikanët kosovarë janë të obliguar, së paku moralisht, të mësojnë kuptimet e terminologjisë që i përdorin, të mos flasin për tema që tejkalojnë kufijtë e të qenurit vetëm politikan dhe të mos këndellen pse janë politikanë e të flasin me gjuhën e shkencës, nëse nuk e njohin.
Nuk është marre, përkundrazi është virtyt të thuhet “nuk e di” nëse nuk di, sikur që është marre dhe shëmti të flasësh gabimisht për diçka që nuk e mëson, nëse nuk e di”, shprehet Bajrami.
Sipas tij, këshilltarët politikë të elitës politike kosovare, para se gjithash duhet të jenë ekspertë të fushave përkatëse, nëse nuk janë, të këshillojnë shefat e tyre për temat që i marrin në gojë dhe t’u shpjegojnë terminologjinë që e përdorin. Në lidhje me këtë, mënyra më e mirë për tu arrit niveli i dëshiruar i intelektualizmit të elitës politike kosovare është që urgjentisht të themelohet institutit apo institutet përkatëse shtetërore, ku do të zhvilloheshin studime e hulumtime me interes për vendit, e aty, të përgatiteshin edhe platforma afatmesme dhe afatgjate për shtetin tonë.
“Politika vetëm si politikë, këtë kurrë nuk mund ta bëjë. Nga këtu, mungesa e instituteve hulumtuese shtetërore edhe më tutje do të krijon kriza sa herë që paraqitet nevoja për qasje serioze shkencore ndaj problemeve që mund të paraqitet në të ardhmen, Politika si politikë, asnjëherë nuk ka qenë, pra, nuk është as sot mjaftueshëm e zonja të jep kontributin e dëshiruar, nëse paraprakisht nuk ndihmohet nga ekspertët dhe nga hulumtuesit e mirëfilltë të fushave të caktuara”, vlerëson analisti Mustafa Bajrami.
Ai shton se debati i sotshëm vuri në dukje një disharmoni serioze mes gjuhës politike që e përdorë elita politike kosovare dhe gjuhës shkencore që shprehet nëpërmes terminologjisë profesionale. Debati i sotshëm, gjithashtu dhe për fat të mirë nxori në pah edhe një herë faktin se ky vend ka njerëz të zotë, të dijshëm, shkencëtarë, por që zëri i tyre nuk dëgjohet nga llumi dhe zhurma e politikës.
“Është tepër e re në moshë elita politike kosovare sa t’i ketë mësuar të gjitha temat për të cilat është e thirrur të vendos, ndaj, ajo ka nevojë për këshilltarë profesionalë, aq më shumë, ka nevojë të konsultojë trurin shqiptarë për temat që ende nuk ka arrit ti mësojë…!”, shprehet për Portalin 2LONLINE, analisti Mustafa Bajrami. /2L ONLINE/