(2LONLINE) – Dy nga të dyshuarit kryesor F.Maliqi (1962) dhe R.Maliqi (1986), për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen edhe të dy të tjerëve, që kishte ndodhur më 14 nëntor, janë arrestuar nga policia, bëjnë të ditur autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit.
Siç kishim raportuar, me datën 14.11.2013 në orën 23:55 në rrugën “Avdullah Tahiri” në Gjilan kishte ndodhur një vrasje e dyfishtë, si dhe ishin plagosur rëndë edhe dy persona tjerë. Asllan Lipovica, i lindur në vitin 1966 dhe Fitim Lipovica, i lindur më 1979 ishin qëlluar për vdekje me armë zjarri, kurse dy të tjerë Fidan Lipovica (1993) dhe Adison Lipovica (1996) janë plagosur gjatë një gjuajtje më armë zjarri që kishte ndodhur në Gjilan.
Që nga atëherë dy nga të dyshuarit kryesorë të kësaj vepre të rëndë penale kishin arritur që t’i shmangen arrestimit. E, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për Rajonmin e Gjilanit,ka bërë të ditur se pas veprimeve operative dhe hetimeve intensive të vazhdueshme u ngushtua dukshëm rrethi i shmangies së të dyshuarve, kështu që me 25.11.2013, rreth orës 20:30, dy të dyshuarit F. Maliqi dhe R. Maliqi janë vetëdorëzuar në stacionin policor të Gjilanit.
Hashani ka thënë se i dyshuari Femi (Ruzhdi) Maliqi, me vete ka sjellë: armën e zjarrit model “Walther”, kalibër 7.65 mm, dhe një karikator pa municion. Kjo armë dyshohet se është përdorur në incidentin e ndodhur me datën 14.11.2013 (Vrasje e dyfishtë).
Sipas Hashanit, arma është konfiskuar nga i dyshuari dhe në vazhdim do t’u nënshtrohet procedurave ekzaminuese të balistikës. Që të dy të dyshuarit fillimisht janë trajtuar nga stafi mjekësor në spitalin rajonal në Gjilan.
“Në vazhdim, pas ekzaminimeve teknike shtesë, intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe procedurave të tjera të nevojshme konform natyrës së veprës penale, me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarve është marrë aktvendimi mbi ndalimin policor në afat prej 48-orësh”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Lënda e kompletuar, brenda afateve ligjore do t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Gjilan, për procedim të mëtejmë. /2lonline/