(2LONLINE) – Në qendrën e Hendikos-it në Gjilan sot është pranuar donacioni me 18 karroca për personat me nevoja të veçanta, që janë dhuruar nga “Kisha e Jezu Krishtit e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, akt në të cilin ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Mustafa, duke e falënderuar donatorin nga ShBA-të, ka thënë se me Hendikos-in Komuna e ka nisur bashkëpunimin mjaft herët dhe do të vazhdohet kështu, ngase ne bashkërisht jemi në shërbim të personave që janë me nevoja të veçanta. Partneriteti i Komunës me Hendikosin ka bërë që sot kjo shoqatë të zhvilloj aktivitetin e saj në një objekt jashtëzakonisht modern. Kushtet në Hendikos janë shumë të mira. Ndjehem i nderuar që sot po marr pjesë në njërin nga aktet e shumta që kanë ndodhur në këtë qendër, pra sot jemi këtu për të shpërndarë disa karroca që janë të reja dhe shumë praktike, e që e lehtësojnë shumë lëvizjen e këtyre personave. Këtu në këtë qendër nuk është vetëm ky donacion; është punuar shumë si në edukim, asistim, vetëdijesim, ngritje të kapaciteteve dhe shumë akte të tjera që janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë.
Gjithçka që ne bashkërisht bëjmë për qytetarët tanë që janë me nevoja të veçanta, është në funksion të asaj që t’u bëhet më e lehtë jetë e tyre, që t’u lehtësohet përfshirja në jetën shoqërore të Gjilanit, duke mos e ndjerë veten asnjëherë se janë persona me aftësi të kufizuara. Ju jeni pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Ne kemi bërë edhe disa punësime në sektorin publik por duke i falënderuar ndërmarrësit privat edhe në atë drejtim është punuar dhe kështu do të vazhdojmë përpara. Energjia juaj për punë është dëshmuar tashmë, urojmë që ju me këtë donacion të lehtësoni edhe më jetën e disa qytetarëve tanë.
Ndërsa, Remzi kqiku, menaxher në qendrën Hendikos, ka thënë se donacioni i ardhur për anëtarët e Hendikos-it, të cilët kanë nevoja të veçanta, është nga organizata “Kisha e Jezu Krishtit e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky është falë një bashkëpunimi që ne kemi ndërtuar me këtë organizatë më parë. Ai ka thënë se kjo është hera e dytë që kjo organizatë sjell karroca për personat me aftësi të kufizuara. Herën e parë ne kemi pranuar 20 karroca, ndërsa kësaj radhe kemi pranuar 18 sosh, e që vlera e një karroce të tillë edhe pse ne nuk i kemi të kalkuluar, është afër një mijë euro.
Kqiku ka falënderuar kryetarin Mustafa, për asistimin e vazhdueshëm për shoqatat e personave me nevoja të veçanta, duke thënë se mbështetja për ne asnjëherë nuk ka munguar nga ana e Komunës së Gjilanit. /2LONLINE/