Komuna e Kamenicës ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me organizatën ndërkombëtare humanitare “Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland e.V.”
Në këtë takim të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, zyrtari nga kjo drejtori Durim Biqkaj, si dhe përfaqësuesit e organizatës “Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland e.V”, Rita Llulla dhe Petrit Bllaca.
Kryetari Kastrati ka thënë se përmes kësaj marrëveshje do të mbështeten familjet në nevojë.
“Përkrahja e familjeve në nevojë është një nga prioritetet dhe sfidat e institucioneve shtetërore. Ne si komunë në vazhdimësi jemi angazhuar që edhe në këtë kohë të pandemisë të përkrahim familjet në nevojë, por edhe ditëve tjera. Po ashtu, me anë të kësaj marrëveshje do të ndihmohen familjet në nevojë për fillimin e bizneseve të vogla familjare”, është shprehur ai.
Edhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, tha se familjet të cilat kanë nevojë duhet të përkrahen nga institucionet, duke iu krijuar kushte më të mira për jetesë.
Ndryshe ky projekt do të filloj në muajin Prill dhe do të zgjas deri në fund të muajit Dhjetor 2021.
Gjatë kësaj përiudhe kohore Përfaqësuesit e projektit do të punojnë ngushtë me komunën e Kamenicës, gjegjësisht me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për të identifikuar rastet të cilat përmbushin kriteret e përcaktuara paraprakisht nga projekti.
Aktivitetet e projektit përfshijnë:
• Identifikimin dhe profilizimin e përfituesve potencial në territorin e komunës së Kamenicës
• Përzgjedhjen e përfituesve
• Trajnimin e përfituesve potencial nga lista e ngushtë (5ditë trajnim për start-up bizneset e vogla familjare) dhe trajnim të zyrtarëve komunal,
• Përgatitjen e planeve të biznesit për përfituesit e projektit
• Organizimi i vizitave studimore
• Shpërndarjen e pakove të qëndrueshmërisë apo granteve në formë të mjeteve/paisjeve, si dhe
• Monitorimin / mbikëqyrjen e projektit. /2LONLINE.com/