(2LONLINE) – Në Komunën e Gjilanit është shënuar sot Dita kulturore Japoneze me aktivitete të ndryshme kulturore, duke nisur me një film të shkurtër për trajtim të mbeturinave e deri tek lojërat e ndryshme për fëmijë, teknikën e figurave me letra Origami dhe foto të ndryshme të zhvillimit por edhe pamje nga qytete të ndryshme të Japonisë.
Organizimi i kësaj ditë është bërë nga Asociacioni i Kosovës dhe Agjensioni i Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në mbështetje të Kuvendit të Komunës së Gjilanit.
Me këtë rast kryetari i Komunës Lutfi Haziri, ka thënë se qeveria Japoneze vazhdimisht ka investuar në Gjilan, si në shëndetësi, ambient dhe në shumë fusha të ndryshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. “Gjilani është Japonia e Kosovës, siç është Japonia për Azinë. Kjo ditë edhe në vitet e ardhshme do të organizohet nga Komuna e Gjilanit dhe do të ketë të ftuar nga sfera të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës e në veçanti nga shteti i Japonisë. Uroj të gjithë të pranishmit që të ndjehen mirë me prezantimet e kulturës japoneze këtu në ambientet e Teatrit të Qytetit”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ndërsa, Nazaket Hakaj, kryetare e JAAK-së ka thënë se ndërtimi i urave kulturore mes dy vendeve është mese i domosdoshëm për shkëmbim të përvojave të reja. “Qëllimi është promovimi i diversitetit kulturor. Kjo ditë është një mundësi e marrjes së përvojave të reja dhe të mira të Japonisë.
Në anën tjetër Kanako Terui, eksperte e JICA-së dhe këshilltare e ODA-së, ka thënë se JICA është angazhuar vazhdimisht që pos investimeve, të trajnoj staf nga Kosova për të sjellur këtu përvojat më të mira të Japonisë në mënyrë që zhvillimi të ndodh edhe këtu. Një numër i mirë i të trajnuarve ka qenë edhe nga Gjilanit, të cilët përvojat e Japonisë i kanë marrë me vizita atje”, ka thënë ajo duke i ftuar të interesuarit në këtë prezantim të Kulturës Japoneze.
Ndryshe sot në Ditën e Kulturës Japoneze janë prezantuar, ushqimi japonez, populli japonez, natyra japoneze dhe aktivitetet e JICA-s në Kosovë, ndërsa është demonstruar “oshuji”, “origami” dhe “kimono & foto”. /2lonline/