(2LONLINE) – Kryetari I Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa me një delegacion të gjerë të Kuvendit Komunal së bashku me veteranët e luftës, partitë politike, shoqata e asociacione tjera kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve për nder të ditës së flamurit kombëtar. Mustafa ka thënë se kjo ditë duhet të madhërohet dhe nderohet me pietet sepse falë këtyre dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për liri, sot Kosova frymon lirshëm.
Homazhe janë bërë tek varrezat e dëshmorëve për të nderuar e përkujtuar ditën e flamurit, ditë kjo kur shumë shqiptarë kudo që ndodhen kanë përjetuar momente të rënda, janë arrestuar e vrarë vetëm pse e deshën flamurin të valojë lirshëm në trojet shqiptare.
Mustafa ka vendosur lule mbi varrezat e dëshmorëve dhe ka takuar familjarët e dëshmorëve me një emocion të shprehur përhgerë kur ndodhet tek varrezat e dëshmorëve. ”Kur dal këtu e ndiej vetën shumë të vogël karshi këtyre burrave që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre. Ne kemi obligim që ta madhërojmë këtë ditë duke i nderuar e përkujtuar të gjithë ato gjenerata e breza që dhanë gjithçka për të valuar flamuri i lire, për të ndërtuar vendin dhe për t’u rritur e lindur të tjerët pas tyre në një shtet normal dhe të lirë”, ka potencuar ai.
Ahmet Daku në emër të OVL të UÇK-së ka thënë se kjo ditë është e madhe dhe e shënuar për shokët të cilët jemi të gjallë nga ata që kanë rënë. Edhe ne mund të ishim në vendin e tyre, sepse bashkë e bëmë luftën por fati e deshti që ata sot të mos jenë fizikisht me ne. rënia e tyre është dëshmi e ndërtimit dhe zhvillimit të vendit”ka thënë ndër të tjerash ai. /2lonline/