/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural kanë pritur sot në takim përfaqësues të projekti AGRO të USAID-it Amerikan si dhe udhëheqësin e sektorit të pemëtarisë në kuadër të këtij projekti.
Gjatë këtij takimi ata kanë diskutuar mbi disa projekte të cilat mund të realizohen në këtë komunë në mes të projektit AGRO-USAID dhe të Komunës së Vitisë me theks të veçanti në sektorin e pemëtarisë, konkretisht të Vishnjës.
Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural foli për mundësinë e realizimit të një projekti në fushën e pemëtarisë me programin AGRO-USAID.
“Sot kemi diskutuar për shumë projekte në fushën e bujqësisë në veçanti në sektorin e pemëtarisë dhe ngritjen e pemishteve me Vishnje. Ky projekt pritet të realizohet në komunat e Anamoravës konkretisht edhe në territorin e komunës sonë ku gjatë këtij viti parashihen të mbjellën rreth 50 ha Vishnje“, u shpreh Ademi.
Ai tha se Komuna e Vitisë, do të shikoj mundësitë që fermerët të përkrahën me sistem të ujitjes ndërsa ndihma tjetër do të ofrohen nga donatorët. Ademi tha se Komuna e Vitisë, konkretisht zona e nga Verbani deri në Letnicë është e përshtatshme për sektorin e pemëtarisë, saktësisht Vishnjës.
Ai potencoi se në këtë projekt do të përfshihet edhe kompania Kalabria në Gjilan , ku sipas Ademit kjo kompani ka garantuar se do të bëjë grumbullimin e frutave të Vishnjës të prodhuar nga fermerët.
Ademi tha se kjo kompani është zotuar se kanë kapacitete të mjaftueshme për të deponuar (ngrirë) ato dhe se njëheritë kompania ka thënë se ata kanë siguruar tregun për shitje e tyre. /2L ONLINE/