/2L ONLINE/ = Kundërshtimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar me 26 gusht 2015, në Vjen, nga opozita, një pjesë e pozitës dhe qytetarëve të Kosovës (205.000 nënshkruesve të peticionit si dhe shumë protestuesve), vjen si rezultat i defekteve në vijim:
Defektet:
– Komisioni nuk i ka respektuar procedurat e parapara për përcaktimin e kufijve;
– Nuk është bërë delimitimi (vizatim i kufirit në hartë) që si proces i paraprin demarkacionit;
– Nuk janë konsultuar ekspertët vendorë e as ndërkombëtarë, si dhe nuk janë shqyrtuar vërejtjet e tyre e as të qytetarëve;
– Nuk është konsultuar literatura e kësaj fushe dhe përvojat e vendeve të tjera;
– Nuk janë konsultuar dhe nuk janë marrë parasysh dokumentet që ofrojnë argumente të mjaftueshme për përcaktimin e kufirit Kosovë – Mal i Zi;
– Nuk është respektuar Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e datës 25 qershor 2015, në pikën 4 të së cilën thuhet: “Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mal i Zi”;
– Komisioni nuk ka konsultuar: banorët e atyre anëve dhe i ka injoruar argumentet e tyre;
– Nuk i ka konsultuar:
kompanitë për asfaltimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve;
kompanitë për menaxhimin e ujërave;
kompanitë për menaxhimin e pyjeve;
kompanitë për mbrojtjen e ambientit;
kompani e organizimit të turizmit etj.
– Komisioni nuk ka qenë transparent gjatë kohës sa ka punuar në demarkimin e kufirit dhe as pas përfundimit të punës.
Dilemat:
– Me cilët ekspertë vendorë ose ndërkombëtarë është konsultuar komisioni shtetëror i Kosovës?
– Si është krijuar lista e kritereve për përcaktimin e kufirit?
– Pse Komisioni Shtetëror i Kosovës ka lejuar që pala malazeze e vetme ta përgatis rregulloren e punës së komisioneve?
– Ka lejuar që Drejtoria e pasurisë së paluajtshme e Malit të Zi ta bëjë fotografimin aerofotometrik të zonës kufitare.
– Si është e mundur që delegacioni i Kosovës t’ia besojë palës malazeze hartimin e tekstit të marrëveshjes?
– Bazuar në Raportin e Komisionit të Malit të Zi, ky komision i ka përcaktuar kriteret për demarkacion, i njëjti i ka krye të gjitha punët në teren, komisioni malazez e ka hartuar edhe tekstin e marrëveshjes prandaj Komisionit shtetëror të Kosovës i ka mbetur vetëm nënshkrimi i marrëveshjes.
– Megjithatë bazuar në të njëjtin raport, pra atë të Malit të Zi, Komisioni i Kosovës deri në mbledhjen e 14 shkurtit të vitit 2014 nuk është pajtuar me propozimin e Komisionit të Malit të Zi, në lidhje me përcaktimin e vijës kufitare Kosovë – Mal i Zi. Çka ka ndodhur që Komisioni i Kosovës të jetë pajtuar më vonë me propozimin e Mali të Zi edhe pse pala malazeze nuk e ka ndryshuar qëndrimin, asnjëherë nuk është bërë publike, si që nuk janë bërë publike shumë çështje me rëndësi të këti procesi?
– Komisioni Shtetëror i Kosovës duhet të përgjigjet në këto pyetje: A ka ky Komision raport të vetin, nëse e ka pse nuk po e publikon, nga kush po e fsheh?
– Ku janë dokumentet mbi të cilat është punuar, pse ato nuk po bëhen publike?
– Pse nuk është përdorur asnjeri nga kriteret e njohura ndërkombëtarisht?
– Pse në Deblldeh (Kufiri Kosovë – Maqedoni), ku kufiri ka kaluar nëpër prona private nuk është përdor Kadastra, kurse për shkrepat e Qakorrit e të Kullës kërkohen Kadastrat?
– Pse kriteri i kadastrës është lejuar të përdoret njëanshëm, vetëm pala kosovare është obliguar të dëshmoj pronësinë kurse për palën malazeze ka mjaftuar kadasti përshkrues që praktikisht nuk dëshmon asgjë?
Faktet:
– Mali i Zi nuk ka prezantuar dhe nuk posedon dokumente kadastrale për tokat, në të dyja anët e kufirit?
– Në botimin e vitit 2011 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me titull: KOSOVA – vështrim monografik, ku anëtar i redaksisë është edhe kryeministri aktual, akademik Isa Mustafa, në faqen 23 të këtij botimi monumental të Akademisë përveç tjerash thuhet:… “Në pjesën veri-perëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi, Linja kufitare ka gjatësinë rreth 78.6 km. Nga trekufiri Kosovë – Shqipëri – Mal i Zi deri te trekufiri Kosovë – Mal i Zi – Serbi, linja kufitare shtrihet nëpër kuotat e larta të Bjeshkve të Nemura – Bogiqevicë, Mokën, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi prehet me dy arterie rrugore automobilistike në Qafë Kullë(1.795 m) dhe Çakor (1849m), që trajtohet si njëra ndër qafat më të larta në Ballkan. …”
Për dallim nga viti 2011, kur akademik Isa Mustafa, është pajtuar me këtë përshkrim të vijës kufitare, sot ai e mbron një përshkrim tjetër të vijës kufitare Kosovë – Mal i Zi e që dallon nga ajo e para për rreth 8.200 hektarë.
– Isa Mustafa duhet të deklarohet se cili është versioni i vërtet në lidhje me kufirin Kosovë – Mal i Zi, ai i vitit 2011, me Qakorrin dhe Kullën në kufi, apo ky i vitit 2015, 5km. më thellë në territorin e Kosovës e me 8.200 hektar më pak?
– Isa Mustafa duhet të deklarohet pse po e pengon rishikimin e demarkacionit, kur pala malazeze është e gatshme për një gjë të tillë?
– Isa Mustafa, duhet të deklarohet pse po i injoron argumentet e ekspertëve vendorë dhe qytetarëve të Rugovës?
– Isa Mustafa, duhet t’i shpjegojë qytetarëve të Kosovës, pse po insiston që marrëveshja të ratifikohet, madje edhe me presion të hapur mbi deputetët e sidomos mbi ata të LDK-së?
– Murat Meha, kryetar i Komisionit Shtetëror për demarkimin e Kufirit Kosovë – Mal i Zi ka qenë autor i hartës së Kosovës, të botuar nga Gazeta “Rilindja” Prishtinë në nëntor të vitit 1998. Në këtë hartë qartë shihet se ”Kufiri kalon nëpër Qafë të Çakorrit dhe Kullë, kurse Bjelluha është brenda territorit të Kosovës.” Tani po ky Murat Mehë e ka një shpjegim tjetër me të cilin e cenon rënd territorin e Kosovës.
– Në Hartën e botuar më 1969 në Zagreb, të miratuar dhe të korrigjuar nga Enti Republikan për Përparimin e Arsimit të Malit të Zi, “Vija kufitare e shënuar me ngjyrë të kuqe kalon nëpër Çakorr kuota 2046 dhe 1845 dhe vazhdon në Planicë (2077), Mokra (1932), Dramodol (2119) përtej Qafa Hajlës (2382), Beleg (2102). Në hartë shihet qartë aplikimi i kriterit të ujëndarjes.”
– Harta e botuar më 1952 nga Instituti Gjeografikë-Ushtarak i Jugosllavisë, “Vija kufitare kalon nëpër kuota Starac 2426, Çakorr 1849 … Bjelluha është thellë në territorin e Kosovës. Ndarja e bërë i përgjigjet kriterit të ujëndarjes.
– Edhe në vitin 1945 edhe gjatë viteve ’70, kufiri i Kosovës me Malin e Zi ka qenë në Çakorr, në Qafë të Diellit dhe në Kullë, si kufi historik (që i vërteton qind për qind deklarata e Gjilasit.
– Harta e Malit të Zi që e përmban Enciklopedia e Përgjithshme e Entit Leksikografik të Kroacisë, e botuar në Zagreb në vitin 1977 e ka Bjelluhen brenda Kosovës,
– Por për habi, Komisioni nuk i ka shfrytëzuar këto harta që janë argumente të plotfuqishme, Komisioni ka anashkaluar kriterin gjeografik, atë strategjik, historik, etnik, hidrologjik, social, ekonomik etj. dhe në vend të tyre ka zbatuar (sipas kërkesës së palës malaziase) vetëm kriterin kadastral, që në asnjë tekst të së drejtës ndërkombëtare nuk përmendet si kriter themelor”, edhe pse Mali i Zi nuk ka ofruar kurrfarë dokumentacion kadastral;
– Një brez i gjerë 5 – 10 km nga kufiri i vendosur nga Komisioni janë të pamatura as në aspektin gjeodezik e as në atë kadastral;
– Edhe pse sipas ekspertëve është jo profesionale të pretendohet përcaktimi I kufirit të shtetit duke identifikua pikat e parcelave kadastrale, demarkimi i kufirit Kosovë Mal i Zi është bërë pikërisht mbi këtë bazë.
– Prandaj, Komisioni i formuar nga presidentja, pa u lëshuar në komentimin e kritereve të përdorura është deklaruar shkurt:”Në bazë të kriterit që keni përzgjedhur çdo gjë është në rregull”. Megjithatë kjo nuk do të thotë se Komisioni i presidentes e ka vlerësuar si të drejt demarkacionin në fjalë.
– …. Në bazë të raportit të Qeverisë, Komisionit i është dhënë mandati, për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare. Marrëveshja ndërkombëtare është pakoja e Ahtisarit 2007, Aneksi VIII, sektori i sigurisë në Kosovë, Neni 3, alineja 2. Kufiri I KSAK 31 dhjetor 1988. Kjo vijë kufitare sipas pakos së Ahtisarit dhe në bazë të deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, e cila është angazhuar për ruajtjen e kufijve që atëherë kanë ekzistuar.
Zgjidhja:
Për të dalë nga kjo situatë kaq e rënd, e që është krijuar si pasojë e papërgjegjësisë dhe mungesës së profesionalizmit të Komisionit shtetëror dhe papërgjegjësisë dhe kokëfortësisë së Qeverisë së Kosovës, propozoj që:
– Qeveria marrëveshjen e nënshkruar me 26 gusht 2015, të mos e sjellë në Kuvend për ratifikim;
– Qeveria duhet ta shkarkoj Komisionin Shtetëror dhe të emëroj një Komision të ri ku do të përfshihen ekspertë vendorë dhe të përdoren kriteret ndërkombëtare për përcaktimin e kufijve;
– Qeveria duhet të kërkoj nga Mali i Zi rishqyrtimin e përcaktimit të vijës kufitare;
– Kuvendi i Kosovës duhet të formojë, një komision hetimor parlamentar, me shumicë nga opozita, që do të hetojë punën e Komisionit Shtetëror;
– Kjo çështje të vjen në Kuvend për ratifikim pasi të eliminohen dobësitë që e kanë përcjell punën e komisionit aktual. /2L ONLINE/
/Ismajl Kurteshi, fjala në debatin për demarkacion në Kuvendin e Kosovës me 03. 08. 2016/