/2L ONLINE/ – Aktualisht jemi para një konkludimi të një procesi të zhurmshëm, por aspak transparent lidhur me demarkacionin e kufirit në mes Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës. Për befasi përfundimi I këtij procesi është futur si kriter për liberalizimin e vizave, ndërsa për ta shtuar presionin, ky proces lidhet edhe me transferimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës FAK.
Padyshim se I tërë procesi dhe kushtëzimet e tilla na vënë para një përpjekje për të qenë sa ma të ndërgjegjshëm dhe përgjegjshëm para qytetarëve, duke vendosë ekuilibrat në mes një përcaktimi të drejtë e profesional të kufirit, në mënyrë që Kosova mos të humbë territor të vetin dhe plotësimin e kërkesave shumë të drejta si që është liberalizimi I vizave, e që është në dorën e shteteve të Unionit Evropian.
Unë në radhë të parë si inxhinier, menaxher, ekspert kadastral, dhe si Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, jam zotuar se në përfaqësimin tim të qytetarëve të Kosovës do të kem parasysh dy parime themelore, ndërgjegjja personale dhe përgjegjësia politike. Megjithatë, nga këto dy parime e dyta do të dominojë në vendimet e mija. Në disa raste të votimit në këtë legjislaturë kam thyer ndërgjegjen personale në favor të përgjegjësisë politike.
Përkrahja e përcaktimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të ZI, nga komisionit për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit nuk më bën të ndërgjegjshëm dhe as të përgjegjshëm, nga se ka shumë prova të cilat e kundërshtojnë procesin në tërësi . Më poshtë po japë edhe disa argument shtesë, përveç atyre që kam paraqitë në publikimin tim tetë-faqesh:
Pas punës mbi dhjetë vjeçare të komisionit për përcaktimin e kufijve administrative të republikave dhe krahinave të ish Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, më 1958 është nxjerrë vendimi në të cilin përshkruhen kufijtë e republikave dhe krahinave, I miratuar nga Kuvendi I RPFJ dhe I botuar në gazetën zyrtare të ish Jugosllavisë në po atë vit (1958). Është I konfirmuar fakti që edhe kopjet e procesverbaleve në atë kohë u ishin dorëzuar Republikave dhe Krahinave, edhe gazeta zyrtare edhe procesverbalet mund të gjenden . Ky përcaktim është I fundit I konsideruar si kufij administrative në kushtetutën e vitit 1974 dhe rrjedhimisht edhe pakon e Ahtisarit dhe dokumenteve të tjera, të cilat komisioni I ka marrë në konsideratë.
Ligji për organizimin territorial apo aspekti ligjor (si që thirret komisioni), ku citohet se territori I Kosovës përbëhet prej territorit të komunave, është një normë universale kushtetuese, që përmbajnë të gjitha kushtetutat, por një normë e tillë nuk mund të prevalojë përcaktimet specifike, të përcaktuara në legjislacionin themeltarë të krijimit të njësive konstituive të federatës Jugosllave (Republikat dhe Krahinat), të paraprirë nga një punë profesionale dhe politike, duke I dhënë dhe fuqi të brendshme dhe ndërkombëtare, përcaktimit të kufijve administrative të republikave dhe krahinave, në bazë të cilave janë konstituuar ato ne kushtetutën e vitin 1974, dhe vazhdon të përdoret si shprehje edhe në dokumentin e Ahtisarit dhe dokumenteve tjera. Prandaj, ky përshkrim dhe këto proces-verbale do të duhej të jetë bazament, I përcaktimit apo I shënimit respektivisht demarkacionit siç është shprehje unike dhe internacionale për kufij.
Gjithsesi nuk mund të trajtohet kufiri I dalë nga një rilevim kadastral I cili ka pasur qëllim evidentimin dhe administrimin e pronave të shfrytëzueshme, që nënkuptohet pra ato prona të cilat ishte e mundshme dhe e nevojshme të mateshin, duke marrë parasysh kapacitetet njerëzore dhe teknologjike të atëhershme, por edhe rëndësinë dhe arsyeshmërinë dhe logjiken ekonomike të zgjerimit të matjeve kadastrale.
Territori I cili është brenda kufirit administrative të përshkruar në dokumentet e fundit (Gazeta Zyrtare e RPFJ, dhe procesverbaleve), në mes Malit të Zi dhe Serbisë respektivisht Kosovës , dhe kufirit kadastral, nuk është terra nulis, por është territor I përcaktuar në bazë të dokumenteve bazë të cilave janë themeluar Republikat dhe Krahinat të ish Jugosllavisë, të shprehura edhe në kushtetutën e vitit 1974.
Prandaj, kjo e qartëson edhe më shumë definicionin se Sipërfaqja është derivat I kufirit, ndërsa kufiri nuk mund të jetë rezultat I sipërfaqes. Më thjeshtë nëse e keni një sipërfaqe nuk mund ta përcaktosh kufirin, ndërsa po pate kufirin e përcaktuar mund me lehtësi ta përcaktosh sipërfaqen.
Mendoj se një herë e përgjithmonë duhet që sipërfaqja e Kosovës apo e Pejës nuk mund të merret si alibi për ti kontestuar dokumentet e lartpërmendura, dhe dokumentet e hartat të tjera të cilat I kanë vënë në dispozicion disa ekspert të fushave dhe institucioneve të ndryshme, dhe me fanatizëm të mbrohet një çështje e cila nuk ka bazë as në dokumente, as në popull, as në histori. Unë besoj se qytetarët kanë nevojë për viza, madje janë të gatshëm te japin diçka që nuk do ta bënin bash me dëshirë (diskriminim pozitiv), por nuk e besoj se ata do të pranonin që ta japin një pjesë të territorit të përcaktuar në dokumentet themeltare të krijimit të ish Jugosllavisë së re, në bazë të cilave dokumente është konstituuar edhe ish Krahina Socialiste Autonome e Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974.
Padyshim që këto dokumente jo vetëm se e përjashtojnë kriterin kadastral për përcaktimin e kufirit në mes Malit të Zi dhe Kosovës, por reflekton edhe nevojën për një qasje më transparente, dhe më profesionale, duke vënë në tavolinë të negociatave edhe faktorë të tjerë, dokumente dhe harta, të cilët mundësojnë një marrëveshje të drejtë ndërkombëtare, e cila I forcon marrëdhëniet e mira fqinjësore me Malin e Zi por edhe me Bashkësinë Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /2L ONLINE/