Nga: Fatmir Arifi
Recension për librin “Adem Demaçi- Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”
Natyrisht, si edhe çdo projekt studimi, si libri që ne sot po e përurojmë, ka një motiv që ka shtyrë atë deri te duart e lexuesit. Motivi tani më është i qartë: 2016 shënon 80 vjetorin e lindjes së Nderit të Kombit, Adem Demaçi.
Ideatorë për shënimin e këtij jubileu në të gjithë hapësirën shqiptare dhe në diasporë, përmes aktiviteteve të shumta, u bënë mërgimtarët nën drejtimin e Fondit Nderi i Kombit Adem Demaçi, të cilët me punën e tyre arritën t’i bashkojnë shumë shoqata në Prishtinë, Tetovë, Tiranë madje më në fund edhe institucionet për të shpallur zyrtarisht vitin 2016 – Viti i Adem Demaçit.
Simpoziumi shkencor që u mbajt këtu në Zvicër, që në fakt ishte dhe pikënisja e të gjitha manifestimeve për nder të 80 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, u botua si përmbledhje artikujsh, e konceptuar e trajtuar në një laramani temash, ku secila prej tyre lidhet me atë që unë shpresoj se është karakteri dallues i këtij libri.
Në këtë libër, të formësuar sipas disiplinave të ndryshme, autorët përpiqen të pasqyrojnë urat lidhëse që ndërtonte Adem Demaçi në mes gjeneratave, urat lidhëse në mes organizatave klandestine, urat lidhëse në mes individëve e ura të tjera në shërbim të kombit dhe atdheut.
Me një fjalë, ky studim i kushtohet personalitetit më të gjithanshëm e dinamik, intelektualit më të spikatur, krijuesit më domethënës dhe teoricienit më të ndritur të periudhës bashkëkohore, të cilin, për shkak të shumëdimensionalitetit të tij, është e vështirë ta studiosh apo për ta fusësh në kllapë konceptuale.
Edhe pse autorët theksojnë se libri do të jetë i dobishëm për brezat e ardhshëm, për shkak të fokusit të tij ekskluziv në figurën unike të Demaçit, ata argumentojnë se ky libër do të duhej të plotësohet me studime të ardhshme nga studiues të tjerë.
Për më tepër, për shkak të thellësisë së personalitetit të Demaçit, ky libër mund të merret si referencë për studiuesit e rinj për të formuar dijet, si rrallë herë për nga niveli i lartë estetik dhe informues, lidhur me shumë ngjarje që janë zhvilluar në kohë të caktuar.
Padyshim, shumë është folur dhe shkruar për Bacin, por është më se e arsyeshme që të flitet një mijë herë më shumë, sepse ka ende për të thënë.
Në 28 kumtesat e këtij libri, autorët na çojnë nëpër shumë teori e disiplina studimore si: në fushën e sociologjisë, historisë, filozofisë, kulturës dhe artit, por që të gjitha kanë një pikë reference – vizionin demaçian për rrugën e çlirimit.
Në secilën kumtesë, vështirë se mund të gjendet një lexues që nuk do të jetë dakord me gjithçka në këtë libër, pasi që brenda këtij libri janë shkruar fakte konkrete të shoqëruara me referenca shkencore. Ajo që është më e rëndësishmja është se një pjesë e këtyre kumtesave të përmbledhura në këtë libër, janë shkruar edhe në formë kujtimesh nga dëshmitarët e kohës dhe nga vetë bashkëpunëtorët e Bacit. Që të gjitha këto kumtesa, pa përjashtim, kanë një sintezë të fundme – Demaçi është vetë liria e Kosovës.
Si shembull, një sërë kumtesash si: Adem Demaçi- Hallkë lidhëse e brezave për liri; Adem Demaçi dhe motivi për liri; Adem Demaçi një kolos i shqiptarisë; Adem Demaçi dhe Mandela -ngjashmëritë dhe dallimet; Baca- udhërrëfyes i jetës sime; Baca Adem- Feniks i ndërgjegjes kombëtare; Adem Demaçi – busulla në udhën e pa fund të lirisë; Demaçi i dy epokave shqiptare, janë trajtesa që tërheqin trajektoren e rrugës së mundimshme në të cilën Baca dalëngadalë e ka shtresuar mendimin teorik, filozofik, praktik dhe çlirimtar te të gjithë brezat.
E përgjithshmja e kumtesave të lartpërmendura, konsiderohet zakonisht si një fushë e veçantë brenda kuadrit të sociologjisë duke i kushtuar vëmendje të veçantë lidhjes së gjeneratave në një kauzë të përbashkët, ashtu si në maratonën e vrapimit ku stafeta kalohet nga një dorë në tjetrën. Ashtu Baci përgatiste gjeneratat nga njëra te tjetra.
Në një dorë tjetër të kumtesave të përfshira në këtë vepër, që botohet në përvjetorin e 80-të lindjes së Adem Demaçit, si: Ndikimi i Adem Demaçit dhe LRBSH-së në organizimin ilegal; Adem Demaçi dhe Lëvizja Popullore e Kosovës; Adem Demaçi në Zërin e Kosovës; Adem Demaçi në burgun e Stara Gradishkës; Ndikimi i veprimtarisë së Adem Demaçit në luftën çlirimtare të Kosovës janë trajtesa që ofrojnë fakte origjinale nga vetë dëshmitarët për vështirësitë e organizimit ilegal në Kosovë. Këto kumtesa janë shumë më tepër se sa thjesht plotësim i kontekstit historik brenda të cilit zhvillohen ngjarjet e asaj periudhe. Sigurisht, një informacion i tillë është i domosdoshëm kur kemi parasysh se njohuritë e brezit të ri për ngjarjet relativisht të freskëta të historisë janë të kufizuara. Pra, këto kumtesa do të kontribuojnë në ringjalljen e analizës historike, të cilët nuk duhet shikuar vetëm nga prizmi i plotësimit të historisë për të kaluarën e afërt, por janë kontribut themelor edhe për orientimin historik i cili kohëve të fundit po merr prirje devijimi të qëllimshëm.
Siç dihet mirëfilli, studimet historike kanë dy objektiva të ndryshme: nga njëra anë të analizosh proceset historike është një përpjekje për ta rindërtuar dhe për ta shpjeguar veprimtarinë njerëzore në të kaluarën e sidomos ato aktivitete me natyrë politike, shoqërore, ideologjike, etike;
Dhe nga ana tjetër, studimi i proceseve në të kaluarën ka për synim kryesor të analizojë ndodhitë e kaluara dhe jo të nxjerrë ligjësi e parime të vlefshme për të tashmen. Pra, siç po shihet, në të dy rastet detyra është e vështirë, por që studiuesit brenda këtij libri ia kanë dalë.
Kategoria e tretë e kumtesave janë ato nga fusha e filozofisë politike siç janë: Filozofia demaçiane e amalgamës ideologjike shqiptare; filozofia dhe etika politike e Adem Demaçit; trajtesa mbi dramën Politika dhe Pushka, në të cilat, studiuesit kanë vënë në pah se si Demaçi arrinte ta bënte sistematizimin e idesë së tij në dy rrafshe: në atë teorik, i cili është mendim tërësisht burimor, i dalë nga tradita, kultura dhe historia e kombit të lashtë shqiptar; dhe së dyti, në rrafshin e pragmatizmit politik, i cili është i determinuar nga rrethanat e kohës.
Pikërisht në harmonizimin e këtyre dy elementeve qëndron gjenialiteti, vlera e mendimit dhe qëndrueshmëria e filozofisë politike demaçiane, i cili pa dyshim që arriti që lëvizjen historike ta ngrisë në lëvizje çlirimtare. Filozofia e Demaçit është unike sepse i ka të dyja: doktrinën dhe praktikën. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e cila u themelua mbi këtë frymë dhe i frymëzoi të gjitha organizatat atdhetare klandestine të ecnin mbi këtë filozofi.
Ky është shkaku që të gjitha lëvizjet historike në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, në gjysmën e dytë të shekullit XX e deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe së fundmi edhe pavarësia e Kosovës, janë të lidhura me frymëzimin, veprimtarinë dhe emrin e Adem Demaçit.
Si përfundim, nga të gjithë kumtesat brenda këtij libri ka një përfundim të sakt: Adem Demaçi arrit që historia, e drejta dhe politika të lidhen në fije të përbashkëta, i cili arriti të kapte karakterin e veçantë që ne sot si studiues e quajmë “studim i një platformë me tri etapa:
Etapa e parë e kësaj platformë kulmoi me filozofin Demaçit, i cili arriti ta përfshinte historinë në lëvizje historike; Etapa e dytë e kësaj platforme kulmoi në 81-shin, e cila lëvizjen historike e ngriti në nivel të së drejtës; Dhe etapa e tretë është që lëvizjen e së drejtës e avancoi në lëvizje çlirimtare. Ky është Adem Demaçi- Ura mbi të cilën kaloi liria e Kosovës
/Ky recension u lexua ne përurimin e librit “Adem Demaçi- Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës, mbajtur më 20 nëntor 2016 në Zvicër/
Fatmir ARIFI