/Një vështrim kronologjik, analitik dhe kritik i rezultateve të testit me nxënësit e klasës 5-të të komunës së Gjilanit /
Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
(2L ONLINE) – Ka kohë që në Kosovë praktikohet testi eksperimental me nxënës të klasave të pesta, më shumë me karakter hulumtues, por ja që deri më tani nuk ka shifra zyrtare-publike, mbase mund të ketë konfidenciale, se vërtetë çfarë niveli të dijës arrijnë fëmijët e kësaj moshe, kur i nënshtrohen një testi të tillë. S’do mend se për të parë ngecjet, defektet apo mangësitë është mirë që të paktën, edhe nëse është sukses jo i kënaqshëm të publikohen, në mënyrë që më pas ato defekte të riparohen, për faktin se çdo test ka synim ngritjen e dijes-cilësisë.
Organizata shumë e respektuar gjermane GIZ, e cila vepron në Kosovë dhe mbështetja e saj për arsimin kosovar është tejet e lartë dhe e pakrahasueshme, ditë më parë në Gjilan, në një ambient të mbushur përplot me punëtorë arsimor, përmes përfaqësuesve të tyre, të një niveli të lartë, prezantoj rezultatet e përgjithshme të testit për klasën e pestë në Gjuhë Shqipe dhe Matematikë për disa komuna të Kosovës, e mes tjerash edhe për komunën e Gjilanit.
Testi me nxënësit e klasës 5-të është organizuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë(MASHT/i), Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim, derisa organizata gjermane shumë kredibile në fushën e arsimit, GIZ e ka mbështetur procesin dhe ka bërë një analize më të hollësishme të krahasimit të vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm.
Nga raporti i kësaj organizate kompatibile u konstatua se numri i përgjithshëm e nxënësve në Gjilan, që kanë marrë pjesë në këtë test, ka qenë gjithsej 149. Ndërsa për rreth 16 për qind, nxënësit në Gjilan tregojnë rezultat më të mirë në Gjuhë Shqipe, se sa në Matematikë. Në Gjuhë Shqipe janë treguar të suksesshëm 56 %, kurse në Matematikë 40%.
Shumë e kuptueshme se nxënësit më lehtë e kuptojnë gjuhën shqipe se sa matematikën për shumë arsye tashmë edhe të njohura dhe të evidentuara. Por assesi nuk arsyetohet përqindja e ultë në matematikë 40 për qind, të paktën të ishte mbi 50 % , por kjo le për të dëshiruar.
Gjithashtu kjo organizatë me përmasa botërore ka përgatitë edhe vlerësim të brendshme dhe të jashtëm, duke prezantuar më pas edhe krahasimin e tyre. Nxënësit tregojnë rezultat më të mirë në vlerësim të brendshëm se sa të jashtëm për rreth 33% . Testi i brendshëm ka arrit deri në 81.17 %, kurse i jashtmi 48.2 %
Nxënësit kanë treguar rezultat më të mirë në vlerësim të brendshëm se sa të jashtëm për rreth 29 % në Gjuhë Shqipe dhe rreth 39 % në Matematikë.
Gjithnjë sipas raportit të GIZ-it, në Gjuhë Shqipe vlerësimi i brendshmi ka qenë 85%, kurse i jashtmi 56%. Derisa në Matematikë i brendshmi 79 %, i jashtmi 40 %.
Po ashtu në raport janë publikuar edhe rezultatet e testit në tri shkolla të ndryshme, të komunës së Gjilanit, kuptohet në këto dy lëndë Gjuhe Shqipe dhe Matematikë
Vlerësim i brendshëm mesatar në tri shkolla të Gjilani në Gjuhë Shqipe është 85.38%, kurse i jashtmi është 56.45 %. Ndërsa vlerësimi i brendshëm mesatar nga tri shkolla në Matematikë është 78.96%, kurse i jashtmi 39.95%.
Dhe vërtetë kjo nuk do koment, sepse kemi një dallim të madh nga vlerësimi i brendshëm me atë të jashtmin. Përfundimisht duhet ta kuptojmë se vlerësimi duhet të jetë sa më real, sa më objektiv dhe sa më përmbledhës, në mënyrë që mos t’i mashtrojmë në radhë të parët fëmijët, prindërit, veten, dhe institucionin. Nuk arrihet fryma garuese me “fryrje” të notave, por përkundrazi me kërkim të më shumë materies dhe dijes së vetë nxënësve, si kundër edhe vetë përformancës. E kemi obligim moral e profesional, që vlerësim të jetë sa më objektiv dhe të mos krenohemi me “nota të larta mesatare false”, por ta krijojmë sistemin e mirë të punës dhe vlerësimit. Ky dallim ndërmjet testit të brendshëm dhe atij të jashtëm, të reflektojë arsyeshëm te çdo mësimdhënës dhe të ngritët përgjegjësia objektive për vlerësim sa më të drejtë të mundshëm. Cilësia nuk rritet me nota ‘artificiale”, por vërtetë reale, edhe përkundër dëshirës dhe vullnetit tonë. Nuk matet përformanca e një mësimdhënësi me notë mesatare të nxënësve, e që siç e dëshmoi edhe ky test i organizuar nga MASHT-I, sepse u vërtetua se testi i brendshëm është sukses i natyrës së fryrë, mirëpo ekzistojnë shumë faktorë të ndryshëm për një mësimdhënie dhe mësimnxënie të mirëfilltë, me tendencë sa më të përsosur, e që më pas natyrshëm e ngrit përformancën e çdo mësimdhënësi. /2L ONLINE/
(Autori është mësimdhënës i Matematikës)