(2L ONLINE) – Po vazhdon përkujdesja e Komunës së Gjilanit për familjet në nevojë, ka thënë kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi e cila së bashku me donatoren Minivere Korça dhe bashkëpunëtorët e saj, kanë vizituar një familje gjilanase e cila ka një anëtare të familjes (Linda Korça) me probleme shëndetësore, respektivisht me këmbë të amputuara, nga ku janë zotuar për një mbështetje deri në krijimin e kushteve normale që ajo të jetë e gatshme të lëviz në mënyrë të pavarur.
Me këtë rast kryesuesja Bunjaku – Rexhepi, i ka prezantuar gruas e cila është e palëvizshme gatishmërinë e Komunës së Gjilanit se do të jetë dorë e mbështetjes në të ardhmen.
“Kam ardhur sot për një vizitë tek ju që t’u konfirmoj lajmin e mirë se ne si Komunë me mbështetje edhe të kryetarit Haziri, do të angazhohemi që juve në një të ardhme shumë të shpejtë t’u ndihmojmë që ju të keni mundësinë të ecni përmes “protezave”. Gjendja në të cilën jeni ju sot neve na brengos, por jemi të bindur që juve së shpejti do t’u shohim në këmbët tuaja. Ka shumë raste nëpër botë që lëvizin përmes protezave, prandaj ju mos dyshoni, sepse një ditë edhe ju do të keni mundësinë të lëvizni sikur të gjithë ne të tjerët. Kjo ka ardhur nga zoti dhe ne skem çfarë të bëjmë, por, ajo që ne po bëjmë është zotimi ynë për mbështetjen tuaj deri në ngritjen në këmbët tuaja”, tha kryesuesja Bunjaku – Rexhepi.
Ndërsa, Minivere Korça, poashtu një femër e vullnetit të mirë, ka ndarë një shumë simbolike të parave për këtë periudhë dimri, që kjo nënë të ketë më të lehtë dhembjen.
Ndryshe, Linda Korça, ishte falënderuese për angazhimin e Komunës dhe solidaritetin e donatores, duke uruar që njerëzit të jenë shëndosh dhe rehat e të lumtur.
Ajo jeton me familjen e saj në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, dhe ka një vajzë e cila është në shkollën fillore. /2L ONLINE/