Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja po merr pjesë në Forumin për Shkencë dhe Teknologji që po mbahet në Kjoto të Japonisë, forum në të cilin janë të pranishëm shumë homologë të tij nga bota.
Sipas një njoftimi të MASHT-it, Buja u takua me ministrin japonez të Arsimit, Hakubun Shimomura, me ç’rast u vlerësuan lartë raportet dhe bashkëpunimi që kanë dy shtetet, si dhe diskutuan mundësinë për hapjen e studimeve të nivelit master dhe PhD për studentë kosovarë në Japoni, kërkesë kjo që thuhet se u mirëprit nga homologu japonez.
Buja mori pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët në nivel ministrash, me ç’rast zhvilloi takime bilaterale me shumicën e ministrave prezentë, të cilëve ju bëri thirrje ta përkrahin Kosovën në rrugën e saj të shtetndërtimit dhe integrimit evropian, si dhe nga disa prej tyre kërkoi edhe njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe, në këtë forum ministrat e vendeve të ndryshme të botës po debatojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve.
Në këtë forum po marrin pjesë mbi 80 vende dhe organizata ndërkombëtare, udhëheqës të lartë të biznesit, shkencëtarë dhe udhëheqës politikë.