Iniciativa e disa anëtarëve të KQZ-së që ky institucion të marrë vendim që votat e kandidatëve të rinumërohen në Qendrën e Numërimit të Rezultateve është joligjore dhe kundër praktikave evropiane.Këtë shqetësim e ka ngritur ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pasi partitë kryesore të përfaqësuara në KQZ tanimë kanë marrë një iniciativë të tillë, e cila pritet të qitet në votim në mbledhjen e së premtes.
Si ekspert i angazhuar në procese të ndryshme zgjedhore, ambasadori holandez ka paralajmëruar për pasojat që mund t’i sjellë një vendim i tillë.
“Ideja për rinumërimin e të gjitha votave edhe kur nuk ka arsye të dukshme, është kundër praktikave të përgjithshme zgjedhore dhe vetëm sa do të shtojë konfuzion në zgjedhje”, ka thënë Bosch për “Kohën Ditore”.
“Pasi kam pasur një përvojë në procese të ndryshme zgjedhore, mund të them se një praktikë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë vend tjetër të botës”.