Shkruan: Sejdulla Kadriu
(2L ONLINE) – Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë 1912, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve administrativ të Shtetit Amë. Copëtimi i trojeve tona ndodhi edhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku Kosova Lindore dhe shumë pjesë tjera mbetën jashtë kufijve të Kosovës, për t`u ndarë edhe më shumë tokat shqiptare shteteve, që kurrë nuk shuan apetitet për të grabitur sa më shumë që munden. Pas luftës titanike të UÇK-së, përsëri krasitje, natyrisht në dëm të tokave tona.
Megjithatë, edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë, asnjëherë nuk u shua veprimtaria për çlirim kombëtar. Popullata e Kosovës Lindore, e sidomos të rinjtë e të rejat, gjithherë ishin përkrahë vëllezërve të tyre si: në veprimtaritë ilegale, demonstrata, burgosje, ndihma në forma të ndryshme, përgatitje për luftë, pjesëmarrje në luftën e UÇK-së, lufta e UÇPMB-së dëshmorë të Kombit, etj.
Këto dëshmi na japin të kuptojmë se: popullata e kësaj ane kurrë nuk i ka respektuar kufijtë artificial të imponuar nga të tjerët, edhe pse tani kanë ndryshuar raportet në mënyrë drastike në dëm tokave të stërgjyshërve tanë!
Po i përmendim vetëm disa raste, për ata që e kanë harruar
bashkëpunimin vëllazëror të Kosovës në një anë, dhe Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, para e sidomos gjatë viteve të 90`-ta. Pas grevës gjithë popullore të 3 shtatorit 1993, Serbia, në Kosovë, aplikoi masa të dhunshme të papara gjeri atëherë. Mbylli të gjitha institucionet publike, uzurpoi objektet shkollore dhe universitare, përjashtoi punëtorët nga puna etj. Me një fjalë aplikoi aparthejdin klasik në mes të Evropës.
Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, duke mos pasur të punësuar në organet shtetërore, ishte e natyrshme që nuk u dëmtuan në këtë aspekt. Në këto rrethana popullata e Kosovës Lindore më herët ia kishin mësyrë kurbetit. Tani në Kosovë varfëria kishte prekur familje të shumta. Sa më shumë bënte zullum okupatori, aq më shumë unifikoheshin shqiptarët, dhe solidarizoheshin mes vete. Nga Kosova Lindore familje të tëra u solidarizuan me aksionin: ,, familja mbanë familjen”. Askush nuk mendonte për vete. Çlirimi kombëtar ishte mbi të gjitha. Për organizimin e luftës së armatosur mbaheshin takime të shumta, gjithandej në Anamoravë, Bujanoc, Preshevë dhe fshatrat përreth. Shoqëri Kulturore, Ansamble, Klube të shumta sportive, shkrimtarë, artistë, tryeza të rrumbullakëta, kuvende të partive të ndryshme, shoqata, media ilegale, aktivistë të ilegales, shoqëria civile etj. aktivitetet e shumta i mbanin në hallat sportive, restorante, shtëpi private dhe gjithkund ku llogaritnim se ishim të sigurt. Këto objekte, gjithmonë ishin në dispozicion të të gjithëve. Se ka qenë kështu, le të flasin shumë njerëz që ende janë në mesin e të gjallëve, sado që ka edhe prej atyre që kanë rënë për Atdhe.
Era e luftës ndihej gjithandej. Dhe ku tjetër duhej të fillonte, pos në Drenicë. E cila ka dëshmuar sa e sa herë për trimëri kur, Atdheu ishte në rrezik.
Përkundër vështirësive dhe rreziqeve të mëdha, Kosova Lindore ishte përcaktuar për ndihmë luftës në mënyra të ndryshme si: pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftë, ndihma në armatim, ushqim e veshmbathje, grumbullimin dhe dërgimin në vijat e frontit të të mirave materiale etj. Me çlirimin e Kosovës, forcat militare e paramilitare serbe, të dëshpëruara nga humbja, mllefin filluan ta zbrazin tek shqiptarët që kishin mbetur nën Serbi. Filluan dëbimet e dhunshme të qytetarëve, sidomos larg qendrave të tre qyteteve. Më së keqi e pësoi Medvegja, Malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës. Filluan përgatitjet për një luftë tjetër me përmasa lokale, por kundër një shteti që ende nuk pranonte humbjen.
Lufta e UÇPMB-së ishte në kulmin e sukseseve, por me ndërhyrjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe politikës kosovare u detyruan t`i lëmë armët, sado që nuk e ishte arritur qëllimi, bashkim me Kosovën. Dhe tani, ku mbeti Kosova Lindore? Kush ia qanë hallin? A po bënë Kosova të mundshmen për t`i dal krah vëllezërve? Përgjigja është thënë në këtë tekst të shkurtër.
Të mirat që ne kemi bërë për vëllezërit tanë, nuk i kemi deponuar për t`na i kthyer me interes. Mirëpo, rendi e do që të mos na ndani në: Ne dhe Ata, sepse në ditë të vështira ishim të bashkuar. E theksoj: Ju politikanë të nderuar, na keni lënë anash ish të burgosurit politikë, thua se ne jemi arrestuar dhe mbajtur në burg për çlirimin e Tibetit! Veteranët e UÇK-së i keni ndarë dhe në listat e shpallura i keni lënë anash. Luftën e UÇPMB-së dhe luftëtarët e saj nuk i pranoni si veteranë, dëshmorët dhe invalidët nuk i njihni! Pse kjo ndarje, kujt i duhet një gjë e tillë, kush është duke i bërë këto, dhe janë me urdhra të dikujt apo nga moskujdesi?! Sido që të jetë, kjo çka është duke ndodhur në dëm të qytetarëve të Kosovës Lindore, është më shumë se mëkat! Padrejtësitë nuk përfundojnë me kaq. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas dëbimit nga tokat tona, mbi 1500 qytetarë shqiptarë kanë mbetur peng, nuk dinë çka të bëjnë dhe kujt t’i drejtohen më?! Posaçërisht, në gjendje shumë të rëndë janë të rinjtë që tash i kanë mbushur 18 vite. Atyre janë duke u cenuar të drejtat për shkollim, për lëvizje të lirë, punësim etj. Me një fjalë u është cenuar ardhmëria. Kemi kërkuar dhe trokitur në shumë dyer, madje edhe në Rezolutën e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, problemi i dokumentacioneve është pikë e veçantë, por shkëndija nuk duket askund! Këto të dhëna nuk janë se i kemi lexuar nga historia, por të përjetuara jo fort moti. Këto katrahura i kanë përjetuar edhe qytetarë e Kosovës, prandaj Ju të thirrurit e popullit mos i harroni se mund t`ju dënon historia! /2L ONLINE/
/Kadriu është kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit/