(2L ONLINE) – Drita ka regjistruar një tjetër barazim pa gola ndaj një tjetër pretendenti për mbijetesë. Rrjetat heshtën edhe në Stadiumin ‘’Ismet Shabani’’ në Ferizaj, ashtu siç heshtën edhe një javë më parë në Gjilan. Në dy ndeshjet ndaj dy skuadrave të fundit, Trepçës dhe Ferizajt, Drita arkëtoi dy pikë që nuk i ndihmuan shumë për ta ndryshuar gjendjen në tabelë.
Skuadra e Dritës ka luajtur sërish baras në kuadër të javës së 15-të, në Raiffaisen Superligën e Kosovës në Futboll. Pas barazimit në shtëpi pa gola ndaj Trepçës, gjilanasit kanë përsëritur epilogun edhe në udhëtim ndaj Ferizajt duke u ndarë kështu në paqe, 0:0.
Ndeshja
Dueli i dy skuadrave nga fundi i tabelës ishte me mjaft ngarkesë, për shkak të rëndësisë së pikëve dhe fatit të dy skuadrave. Ndeshjen më mirë e nisën gjilanasit që rrezikuan qysh në minutën e dytë përmes Florim Berishës, por gardiani ferizajas Rexhepi ishte i vëmendshëm duke mos lejuar befasi qysh në fillimin e saj. Mundësinë më të mirë për ta kaluar Dritën në epërsi e pati Alban Rexhepi në minutën 34-të, por gjuajtjen e të riut gjilanas fillimisht e ndali portieri vendas e më pas topin e kthyer nga aj nuk arriti ta shndërroj në gol Shqipërim Kelmendi duke shpërdoruar kështu një mundësi të artë që Drita të kalonte në epërsi.
Vendasit që dukeshin të humbur në pjesën e parë mundësinë më serioze për të rrezikuar e patën krejt në minutat e fundit të ndeshjes përmes kapitenit Agron Istrefi, që fillimisht bukur depërton nga krahi i djathtë dhe pastaj gjuan shagas drejt portës së Muhamet Huruglicës, por topi shkon skaj pingules. Fundi i ndeshjes ka mundur t’iu buzëqesh bardh e kaltërve pasi Kelmendi ka mundur ti gëzojë me një tre pikësh prej ari.
Një gjuajtje prej më larg se 25 metra e sulmuesit ka përfunduar në transversalen e portierit Rexhepi që edhe njëherë ka qenë me fat. Kështu mbyllet ndeshja me shifra të bardha, ndërkohë që nuk ndryshon asgjë në renditjen tabelare. Drita mbetet në pozitën e parafundit me 14 pikë, një më shumë se Ferizaj që mbetet e fundit me 13 sosh. Vikendin e ardhshëm, Drita i bën konak Drenicës ndërkohë Ferizaj i shkon HajvalisëNgarkesa e bëri të veten
“Një ngarkesë e lojtarëve të dyja ekipeve e ka bërë të vetën ngase fitorja do të thoshte shumë. Kemi pritur që nga kundër zbritjeve të mundohemi të realizojmë, por në fund ky është rezultati dhe jam i kënaqur me një pikë edhe pse shumë lehtë kemi mundur ti fitojmë që të trijat”, u shpreh pas ndeshjes, trajneri i Dritës Afrim Shahini.
Ferizaj 0:0 Drita
Stadiumi ‘’Ismet Shabani’’ në Ferizaj
Shikues: 300
Gjyqtarë: B. Gashi, L. Muhadri, M. Berisha, B. Jahmurataj
KV: Tusani dhe Kelmendi(Drita)
Ferizaj: Rexhepi,Istrefi, Bardhi, Me.Idrizi, Qerkini, Ramadani, Bytyqi, Mi.Idrizi (Tershana), Selimi, Haxhimusa, Rusinovci(Shabani). Trajner: Rexhep Murseli.
Drita: Huruglica, Syla, Halimi, Tusumi, Limani, Berisha, Ajdari, Rexhepi(Sejdiu), Kelmendi(Azemi), Gashi, Murati(Kastrati). Trajner: Afrim Shahini.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/
/foto KF Ferizaj/