/2L ONLINE/ – Rreth gjashtëdhjetë dhurata janë shpërndarë për fëmijët e familjeve skamnore në disa fshatra të Karadakut, falë aktiviteti të përbashkët të Klubit Rotarian “Gjilani” si dhe Iniciativës Qytetare të Zhegrës (IQZH).
“Babadimri rotarian”, rolin e të cilit e luante rotariani gjilanas Fatos Qerimi, shoqëruar edhe nga rotariani Muhamet Halili si dhe Mustafë Jashari e Ruhan Kurteshi, përfaqësues të IQZH-së, kanë vizituar disa familje skamnore të fshatrave Lipovicë, Muqibabë, Llashticë, Zhegër, Ukmehmet, Goden, Dunavë, Biçak, ku me urimet për festat e fundvitit, fëmijëve të këtyre familjeve u kanë shpërndarë dhurata për fundvit.
Në fakt, janë 18 familje me 92 anëtarë dhe 49 fëmijë që IQZH u ndihmon me gjëra ushqimore dhe higjienike për çdo muaj, ndërsa tani me iniciativë të Klubit Rotarian “ Gjilani”, u vendos që në ato familje, përkatësisht për fëmijët e atyre familjeve të dhurohen dhurata për Vitin e Ri.
Përndryshe, Fatos Qerimi (Babadimri), që është edhe kryetar i Klubit Rotarian “ Gjilani” tha se ky aktivitet u mundësua fal ndihmës të rotarianëve gjilanas që kontribuuan financiarisht sikurse edhe kontributi i njerëzve vullnetmirë që janë miq të rotarianëve si dhe falë bashkëpunimit me Iniciativën Qytetare të Zhegrës.
Nga ana tjetër, Mustafë Jashari, koordinator i IQZH-së, iniciativë kjo që ndihmon këto familje për çdo muaj, me pako ushqimore dhe higjienike, ka vlerësuar lartë gjestin e rotarianëve për të përzgjedhur pikërisht fëmijët e këtyre familjeve për t’i gëzuar ehde me dhurata për Vitin e Ri.
Ai tha se është i lumtur që janë mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga të gjitha këto familje, e sidomos nga fëmijët që u shprehen të lumtur për praninë e Babadimrit edhe në shtëpitë e tyre.
Përndryshe, aktivitetet shërbyese në frymën rotariane për komunitetin lokal por edhe me gjerë, nga Klubit Rotarian Gjilani, u tha se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sikurse edhe bashkëpunimet me organizata të ndryshme, si në këtë rast me IQZH-në. /2L ONLINE/