(2LONLINE) – Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë bërë me dije se nëntë persona janë arrestuar e dy të tjerë janë në kërkim dhe të gjithë këta besohet se kanë qenë pjesë e një zinxhiri keqbërësish, që kanë kryer vepra nga më të ndryshmet.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjilanit, ka bërë të ditur se njësitet përkatëse kishin organizuar një plan të përgatitur miri, kanë bërë hetime të mjaftueshme dhe vetëm kishin pritur vendimin e prokurorit për të ndërmarrë aksionin, me këtë rast ishin bastisur 13 lokacione të ndryshme dhe gati se në të gjitha gjetën dëshmi materiale.
Zëdhënësi Hashani, tha se në këtë aksion janë gjetur: tri pushkë gjuetie, të cilat ishin të vjedhura, u gjet një pushkë automatike e llojit AK- 47, pesë pistoleta, disa telefona celularë, disa kompjuter dore (laptopë), disa armë të ftohta si thika, boksa hekuri, shufra metalike e gjësende të tjera, pastaj bizhuteri dhe 200 gramë të llojit marihuanë.
Mjetet e gjetura do t’i prezantohen gjykatës si dëshmi dhe ato që janë vjedhur do t’i kthehen pronarëve legjitimë.
“Nga ky zinxhir, janë arrestuar nëntë persona, dy nga të cilët janë dërguar me procedurë të rregullt, derisa dy persona të tjerë janë në kërkim. Të gjithë këta të dyshimtë janë dërguar në paraburgim dhe aty do të mbahen 48 orë”, ka thënë zëdhënësi Hashani. /2lonline/