(2L ONLINE) – Vazhdon “gara’ për legjitimitetin e grupeve brenda Lëvizjes Vatra që ka selinë e saj në Gjilan. Dikur unike tani e përçarë. pasi kaluan tani edhe javë që kemi dy palë, që pretendojnë në këtë legjitimitet. Për më tepër, kemi edhe struktura të tyre duke përfshirë edhe drejtuesin e kësaj Lëvizjeje.
Derisa njëra anë që e njeh për kryetar Sejdulla Kadriun, ditë më parë ka arrit marrëveshje me PDK-në në nivel qendror për koalicion, pala tjetër me Fatmir Arifin, kryetar, e vlerëson se një koalicion i tillë është jolegjitim sepse është arrit me një kryetar të vetëshpallur derisa, sipas tij, Lëvizja Vatra i ka organet e saja legjitime të dala nga Kuvendi i fundit përfshirë kryetarin.
“Për hir së vërtetës jemi të detyruar të sqarojmë, jo opinionin sepse opinion i gjerë është mirë i informuar, por Kryetarin e PDK-së, se Lëvizjen Vatra që nga data 27 Prill 2014, datë në të cilën u mbajt Kuvendi i Dytë i Përgjithshëm, nuk e përfaqëson Sejdulla Kadriu. Që nga kjo datë, Lëvizja Vatra iu ka nënshtruar procesit të brendshëm zgjedhorë, nga i cili kanë dalë organet e reja drejtuese si dhe Kryetari i saj, prof. Fatmir Arifi”, ka thënë vet Arifi.
Ai shprehet se pa dashur të ndërhyjnë në autonomin politike të PDK-së, si kryesi e Lëvizjes Vatra vlerësojnë se PDK mundë të bëjë koalicion me këdo qoftë, qofshin ata edhe individ, por, Lëvizja Vatra ka adresë brejtësish tjetër. Një veprim i tillë përpos që është i dëmshëm, është tërësisht dhe amatoresk.
“Lëvizja Vatra është e hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, në çdo segment që avancon kauzën politike të Luginës së Preshevës dhe të qytetarëve të saj. Por në asnjë mënyrë ne nuk merremi me plotësimin e dëshirave individuale, ashtu siç po synon Sejdulla Kadriu, që ndonjë dromcë vote të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta kontrabandojë herë në atë subjekt e herë në këtë subjekt për të nxjerrë ndonjë privilegj individual. Z Kadriu, kështu veproi edhe në zgjedhjet lokale, me ç’rast lidhi koalicion me LDK-n pa asnjë interes në dobi të qytetarëve të zhvendosur nga Lugina e Preshevës” ka thënë Arifi.
Duke aluduar në Kadriun, Arifi tha se dëshiron t’ia përkujtojë, se kauza e Luginës së Preshevës dhe e qytetarëve të saj të zhvendosur në Kosovë është më e madhe se sa ndonjë votë që po synon ta kontrabandoni për ambicie personale.
“Veprimet e juaja po dëshmohen se janë shumë të dëmshme dhe kanë karakter personal. Iu përkujtojmë se qytetarët e zhvendosur nga Lugina e Preshevës ballafaqohen me problemet esenciale nga më të ndryshme. Çdo tentativë për ti keqpërdorur për interesa individuale, ne konsiderojmë se po bëhet krim i dytë politik mbi këtë kategori të shoqërisë”, ka thënë Fatmir Arifi, i cili thotë të jetë kryetar i Lëvizjes Vatra, i zgjedhur me votë demokratike pas zgjedhjeve paraprake në Kuvendi e Dytë Zgjedhor ët Vatrës. /2L ONLINE/