/2L ONLINE/ – Është mbajtur sot takimi i rregullt i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Gjilan, i treti me radhë për vitin 2015, i cili është ftuar me kërkesë të Sektorit të Elementit Mbështetës Civil-Ushtarak që funksionon në Kuadër të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, me qëllim të njoftimit nga ta me programin shoqëror “Amerika me Kosovën”, i cili promovon masa edukative kundër dukurive negative, me synim që ky program të prezantohet te grupet e rinisë shkollore.
Takim e ka hapur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ndërsa kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Jason Stumpf, Jeffrey Caroll e Jeton Fejzullahu, pastaj përfaqësues nga Policia e Kosovës, FSK dhe komunitetet fetare.
“Jam i nderuar që po marrë pjesë në këtë takim, ku do të shpaloset programi i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, duke siguruar mbështetje për KKSB, për komunitetet në përgjithësi në komunën e Gjilanit dhe për parandaluar dukuritë negative në shkolla. E falënderoj shumë Ambasadën Amerikane për ndihmën e madhe që po e ofron në çdo aspekt, edhe në këtë rast për vetëdijesimin e nxënësve në shkolla kundër dukurive negative në shoqëri”, ka thënë kryetari Haziri.
Në emër të programit të Ekipit Civilo-Ushtarak pranë ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ka folur Jeton Fejzullahu, i cili tha se ky është nje program shoqëror dhe informues me qëllim të vetëdijësimit dhe informimit të nxënësve të shkollave të mesme për informimin lidhur me dukuritë negative në shoqëri, për punën e institucioneve të ndryshme të qeverisë së Kosovës dhe për Këshillat për Siguri në Bashkësi si dhe për mundësinë për arsim të lartë në SHBA e Kosovë.
Ai tha se gjatë ditëve në vazhdim do të formohet një grup punues, ku bëjnë pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit, të shkollës së zgjedhur në Gjilan për t’u shpalosur programi, përfaqësues nga inspektorati i policisë, KKSB dhe organizata joqeveritare etj.
Nxënësit e do të vetëdijesohen për dukuritë negative sic janë: droga, trafikimi etj, pastaj tdo të mësohen për të raportuar i krimit, qasjen në ndihmë juridike pa pagesë dhe kjo do të bëhet përmes broshurave dhe bisedave me nxënës.
Kryesuesi i KKSB-së, Halit Rexhepi, tha se një nga preokupimet e këtij këshilli në vazhdimësi ka qenë edhe aktivizmi i rinisë shkollore në jetën politike si dhe në mobilizimin e tyre në aktivitetet që synojnë mënjanimin e dukurive negative dhe në orientimin e shfrytëzimit të energjisë rinore në aktivitete pozitive.
Drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, u shpreh se sot po trajtohet një temë shumë e rëndësishme për sigurinë e nxënësve në shkolla, duke shtuar se vazhdimisht ka pasur bashkëpunim me Policinë e Kosovës sepse, sic tha, çështje e sigurisë është kryesore në arsim.
Duke përshëndetur iniciativën e ambasadës Amerikane, Musa tha se në Gjilan janë mbajtur disa trajnime sa i përket luftimit të dukurive negative në shkolla.
Agim Hyseni, sekretar i Bashkësisë Islame ne Gjilan, tha se për këto dukuri gjithmonë imamët ligjërojnë nëpër xhami, e në veçanti kundër ekstremizmit të mundshëm fetar.
Komandanti i stacionit policor në Gjilan, Remzi Azemi, ka deklaruar se projektin e SHBA-ve në aspektin e luftimit të dukurive negative e shohin tejet të rëndësishëm, ndërsa tha se bashkëpunimi i Policisë së Kosovës do të jetë maksimal me të gjitha kapacitetet e tyre.
Krejt në fund, kryesuesi i KKSB-së, Halit Rexhepi, tha se në komunën e Gjilanit për më shumë se një vit nuk është shënuar asnjë ekses apo konflikt ndëretnik dhe se Gjilani njihet për tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike./2L ONLINE/