(2L ONLINE) – Nën organizimin e kryetarit të komunës së Vitisë Sokol Haliti dhe në mbështetje të shoqatave, organizatave, bashkatdhetarëve, kompanive dhe donatorëve të ndryshëm, është zhvilluar sot në qendër të Vitisë një aksion i madh humanitar me që rast janë ndihmuar qindra familje të kësaj komune që janë me gjendje të rëndë ekonomike. Me këtë rast atyre u janë shpërndarë gjëra ushqimore duke u nisur nga ato elementare miell, vaj, krip, sheqer etj, si edhe dhurata festive të Vitit të Ri.
Ky aksion është mbështetur edhe nga Institucionet tjera, këshillat e fshatrave, shoqatat dhe organizatat si Kryqi i Kuq, “Nëna Terezë”, “Fryti i Mirësisë”, etj që veprojnë në Viti. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, në shpërndarjen e këtyre ndihmave, ka falënderuar gjithë donatorët që i kanë kontribuar aksionit dhe i janë bashkangjitur duke sjell ndihma të nevojshme për familjet në nevojë.
“Kjo iniciativë është e para e këtij lloji në Kosovë dhe Vitia në vazhdimësi ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar për të ndihmuar qytetarët e vet, ngase dora solidare e këtyre donatorëve nuk ka pushuar asnjëherë. Ky aksion do të jetë pikënisje edhe e aksioneve të tjera që komuna së bashku me njerëzit vullnet mirë, do të zhvilloj për tu ndihmuar familjeve që kanë nevojë për ndihmë”, tha Haliti.
Ndërsa Xhavit Islami bashkatdhetar që punon dhe vepron në Zvicër, tha se ky aksion është tejet I qëlluar dhe mërgimtarët e komunës së Vitisë që jetojnë në Gjenevë, ditë më parë kanë organizuar një turnir në futboll dhe mjetet e grumbulluara t’ia dedikojnë një familjes me gjendje të rëndë ekonomike.
Mirëpo ne jemi mobilizuar dhe jemi dakorduar që të kontribuojmë për më shumë familje dhe i jemi bashkëngjitë këtij aksioni duke dhuruar 83 pako ushqimore me një vlerë prej 50 euro për pako, të ua ndajmë familjeve në nevojë”, tha Islami.
Kurse koordinatori I Shoqatës Bamirëse Humanitare ‘Nëna Terezë”, Halit Alidemaj bëri të ditur se janë diku mbi 410 familje që janë ndihmuar nga ky aksion I zhvilluar sot. Ai ka potencuar se listat e familjeve nevojtare, janë përzgjedhur nga këshillat e fshatrave dhe organizatat e shoqatat bashkëpjesëmarrëse të aksionit./2L ONLINE/