Aleanca Kosova e Re (AKR) është partia e vetme që është deklaruar kundër mbajtjes së zgjedhjeve në muajin qershor. Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka numëruar arsyet pse zgjedhjet nuk duhet të mbahen në muajin qershor.
“Ka disa arsye që zgjedhjet nuk do të duhet të mbahen në një afat nga e premtja prej pesë javësh. Arsyeja e parë është se këto zgjedhje mbahen me ligjin e vjetër zgjedhor, i cili është kritikuar nga të gjitha subjektet politike dhe është vlerësuar si shkaktari kryesor për vjedhjen industriale të votave. Arsyeja e dytë, është krejtësisht e pamundur edhe teknikisht të përgatiten zgjedhjet më 8 qershor. Dhe, arsyeja e tretë, duhet të miratohet ligji për zgjedhje, i cili është në procedurën e fundit parlamentare dhe t’i jepet kohë KQZ-së t’i përgatisë infrastrukturën dhe mekanizmin zgjedhor në pajtim me ligjin e ri zgjedhor”, ka deklaruar Makolli për “Epokën e Re”.
Sipas tij, duke iu referuar këtyre arsyeve, muaji qershor automatikisht duhet të përjashtohet si muaj i mbajtjes së zgjedhjeve.
“Nuk jam i kuptuar se pse është gjithë kjo nguti, që zgjedhjet të mbahen më 8 qershor. Nuk ka as mundësi teorike që KQZ-ja të përgatitet teknikisht që zgjedhjet të mbahen brenda pesë javësh. Nuk do të kemi kredibilitet të zgjedhjeve në rast se zgjedhjet mbahen brenda pesë javësh, sepse duhet të ftohen edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Ne mund të mbajmë zgjedhje të improvizuara, por jo zgjedhje kredibile”, ka deklaruar Makolli, duke shtuar se periudha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve është muaji shtator.
“Mbajtja e zgjedhjeve në qershor mund ta dëmtojë të ardhmen e Kosovës sepse ne jemi para proceseve të rëndësishme për vendin dhe këto zgjedhje do ta përcaktojnë të ardhmen tonë në raport të brendshëm dhe të jashtëm”, ka thënë Makolli.