Gjilan – (2LONLINE) – Nën organizimin e Ars Club “Beqir Musliu” të shtunën me një Akademi përkujtimore është kujtuar jeta dhe vepra e poetit, krijuesit, pedagogut e të njeriut të kulturës Haxhi Vokshi, I cili dy javë më parë kishte ndërrruar jetë në Gjilan.
Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliu”, ka thënë se ky ishte poet ndër më të mirët, i cili ka botuar gjashtë vëllime poetike që nga vitit 1962 deri më 2008, kurse i mbetën edhe plot dorëshkrime të tjera. Ai kurrë nuk u nda nga libri e puna. Rrustemi ka folur për jetën dhe veprimtarinë e Vokshit, duke thënë se ishte edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe nuk u ndal deri në ditën e fundit të jetës.
“Poeti Haxhi Vokshi i gëzohej veprimtarive dhe sukseseve tona. “Na kurajonte dhe, kahdo që shkonte, na prezantonte dhe mburrej me atë që e bënim në Gjilan. Kuptohet, në të mirë të letërsisë dhe për letërsinë tonë. Sepse, pjesa tjetër e jetës së tij të pasosur, ajo shpirtërorja, mbeti për të jetuar në veprat që la. Aty ku do të frymojë tash e tutje, Haxhi Vokshi”, tha Rrustemi.
Ibrahim Kadriu, shkrimtar, ka thënë se të gjithë i kanë mbetur borxh Haxhi Vokshit, ngase ai sillej mirë me të gjithë. Vokshi e donte njeriun dhe shprehte dashurinë në çdo moment dhe shpesh ishte i hareshëm e kishte afërsi me të gjithë. Kadriu e quajti Vokshin emblemë të Gjilanit, autentik si poet e njeri që i gëzohej suksesit të të tjerëve.
Nexhat Rexha, poet foli për intelektin poetik në vjershat e Haxhi Vokshit, duke thënë se poezia e tij i qëndron kohëve dhe ishte i atillë që me kujdes e gdhendi vargun e fjalën.
”Intelekti poetik në të gjitha vëllimet e Haxhi Vokshit del i qartësuar në pikëpamje të perceptimit dhe idesë gjithnjë në përcaktimin e gjërave të aktualitetit, duke reflektuar kohët si pjesë intime të jetës dhe me lidhje të pakëputshme nga trashëgimia burimore e tij”, ka thënë Rexha.
Disa poezi përkushtim, i recituan Aziz Mustafa, Alketa Spahiu, Diana Toska dhe Linditë Ramushi, kurse pati edhe pika të zgjedhura muzikore me kitarë, flautë e violinë. /2lonline/