(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje! ka zhvilluar takimin e radhës në fshatin Zhegër. Në këtë takimi ishin prezent kandidatët e Vetëvendosjes nga Gjilani për deputetë si dhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.
Besa Baftiu, kandidate për deputete tha se ndihet krenare që para bashkëfshatarëve të saj, ka mundësi të shpalos Alternativën Qeverisëse. Baftiu me profesion mjeke, foli për shëndetësinë si pjesë e programit të Vetëvendosjes. Ajo tha se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, vendi dhe qytetarët do të fitojnë kujdes të mirëfilltë shëndetësore, si dhe qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.
Hydajet Hyseni, po ashtu kandidat për deputetë tha se koha e ndryshimeve ka ardhur. Programi qeverisës i Vetëvendosjes është i vetmi që premton ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes në vend. Tash dhe vetëm me Lëvizjen ndryshimi është i mundshëm.
Kandidati tjetër për deputetë Shemsi Syla, duke e ditur se ka të kaluar ushtarake foli për atë se si e sheh Lëvizja Vetëvendosje këtë sektor, me programin e saj qeverisës. Ai tha se krijimi i ushtrisë së Kosovës është i domosdoshëm dhe atë me standarde evropiane si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, duke shfrytëzuar kështu pëvojën e tyre si anëtare e NATO-s.
Ismajl Kurteshi në fjalimin e tij u rikujtoi qytetarëve se sa e rëndësishme është vota e tyre. Ai tha se ndryshimet nuk mund të vijnë vetëm nga ne, ju jeni ata që na e jepni të drejtën e besimin me votën tuaj. E me këtë besim, ne si kandidatë për deputetë do të luftojmë e do të mundim dukuritë negative si korrupsionin, nepotizmin dhe keqpërdorimet e ndryshme. Kjo mbështet nga fakti se kryetari i kryeqytetit, është shpallur kryetari më i guximshëm i kontinentit nga gazeta londineze.
Përparim Muja po ashtu theksoi pastërtinë që Vetëvendosje ka. Ai tha se është dëshmuar disa herë që ky subjekt nuk luan nga parimet e saja. Kjo duhet të jetë ajo që të ndikojë në forcimin e besimit se gjendja mund dhe do të ndryshojë. Të gjithë pajtohemi se gjendja aktuale nuk është e mirë dhe se duam ta ndryshojmë. Prandaj, tash dhe vetëm bashkë do të sjellim ndryshime.
Kryetari i komunës së Prishtinës dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti me veturën e tij modeste dhe thjeshtësinë e tij tha se unë i vetëm nuk jam i fuqishëm, ajo që më bënë të tillë është familja e quajtur Vetëvendosje. Sikur në Prishtinë ku fituam pa shumë të mëdha parash, pa ndihmë të bizneseve por vetëm me punë dhe angazhim, ashtu do të fitojmë edhe Kosovën e kështu gjendja e qytetarëve tanë do të ndryshojë për të mirë.
Alternativa Qeverisëse që ne e kemi prezentuar vitin e kaluar është treguesi dhe ndoshta libri më i rëndësishëm në vend tani, ka shtuar Ahmeti. Ai tha se implementimi i këtij programi do të thotë barazi e sundim të ligjit, zhvillim ekonomik e hapje të vendeve të reja të punës e krejtësisht në fund do të thotë mirëqenie sociale për Kosovarët. (2L ONLINE)