(2LONLINE) – Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, ka qenë të mërkuren edhe në qytetin e Kamenicës, ku kanë hapur Klinikën Mobile për Ndihmë Juridike Falas për qytetarët e kësaj komune. Kjo Klinikë Mobile do të jetë në shërbim të qytetareve të komunës së Dardanës gjatë këtij muaji dhjetor për të gjithë qytetarët të cilët kanë vështirësi materiale për të pasur falas ndihmë profesionale juridike.
Sipas Sadulla Salihut, zyrtar ligjor pran zyrës rajonale të Gjilanit për ndihmë juridike falas, kjo klinikë mobile në komunën e Kamenicës, ka qëllim vetëdijesimin e qytetarëve me pamundësi financiare që të kenë qasje më të efektshme në drejtësi, përmes ofrimit të shërbimeve profesionale pa pagesë.
“Shërbimet tona juridike janë për të gjithë qytetarët e komunës së Dardanës, të cilët në pamundësi financiare dhe me gjendje ekonomike të rëndë kjo e drejtë ju garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për ndihmë Juridike falas”, thotë Salihu, duke shtuar se shërbimet e këtij agjencioni për qytetarët e komunës së Kamenicës do të jenë në hapësirat e një minibusi, ku qytetarët kanë mundësi të informohen me të gjitha procedurat që mund ti kenë pranë organit të administratës dhe atyre gjyqësore.
Për më tepër, Salihu, thekson se kjo është nevojë e gjithë atyre qytetarëve që nuk kanë mjete të mjaftueshme për të angazhuar avokatë për përfaqësim të tyre në gjykatë apo në organet e administratës. Ai tregon se llojet e ndihmës juridike falas, janë: informatat dhe këshillat juridike lidhur me procedurat ligjore, përpilimi I shkresave dhe tërë asistencën tjetër teknike, që ka të bëjë me kompletimin e lëndës si dhe përfaqësimin në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse.
Lidhur me shërbimet që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike falas, sot në mesditë gazetari juaj ka vërejtur një shtim i numrit të të interesuarve që kërkojnë ndihmë juridike në këtë klinikë mobile, e cila do të vazhdojë edhe ditëve tjera në vijim për të dhënë ndihmë juridike qytetarëve të komunës së Dardanës.
K
linika mobile, do të qëndrojë në sheshin “Metush Krasniqi”, për një muaj dhe ëçdo ditë prej orës 08:00 deri në ora 14:00. /Rexhë Hasani/2lonline/