/2L ONLINE/ – Veton Ademi, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural me bashkëpunëtor ka vizituar sot kompaninë “Ve-Tro-Isol AG” nga Ferizaji e cila ka një pikë të saj grumbulluese në fshatin Debelldeh të Vitisë. Kjo kompani merret me grumbullimin dhe përpunimin e bimëve aromatike, mjekësore dhe frutave të imta si Mjedrave dhe Manaferrave etj.
Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural janë njohur me veprimtarinë e kompanisë “ Ve-Tro-Isol AG” në Debelldeh, me këtë rast ata janë takuar edhe me përfaqësuesin e saj, Muhabi Rrahmani, i cili foli edhe për planet e kësaj kompanie.
“Jemi duke shikuar mundësitë që të sigurojmë edhe një makinë për tharjen e bimëve mjekuese dhe aromatike kjo do jetë në interes jo vetëm të biznesit tonë por edhe të fermerëve”, u shpreh Rrahmani.
Ndërkaq Veton Ademi, potencoi se është shumë e nevojshme që fermerët të kenë pika të tilla grumbulluese me qëllim që të kenë ku ti dorëzojnë dhe shesin produktet e tyre bujqësore që sipas tij janë në rritje.
“Për shkak të shtimit të parcelave me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore është shumë e nevojshme që të kemi pika grumbulluese dhe përpunuese sikurse kjo që e vizitove sot në Debelldeh të Vitisë”, u shpreh Ademi.
Ndërkaq kjo kompani po bënë grumbullimin e bimëve të ndryshme si ato aromatike, mjekësore por edhe të frutave të imta , ku kryesisht është duke grumbulluar më shumë mjedra. Në këtë pikë grumbulluese pos mjedrës grumbullohen edhe: shtogu, bliri i bardhë, dredhëza e egër, boronica, manaferra, këpurdha e ujkut, këpurdha dhelprake etj.