(2LONLINE) – Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga anëtarë të strukturës së tij, sot kanë bërë homazhe pranë lapidarit të atdhetarit të shquar Xhavit Ahmeti në Përlepnicë.
Me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së atdhetarit të shquar Xhavit Ahmeti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Gjilan, ka përkujtuar me krenari veprën e madhe dhe të pashuar të tij për kombin shqiptar.
“Ne qytetarët e Përlepnicës sikurse edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, ndihemi krenar për Xhavit Ahmetin dhe veprën e madhe të tij për kombin shqiptar. Institucionet sot është dashur të jenë këtu për ta nderuar këtë figurë të madhe të shqiptarëve e jo të merren me fushatë, sepse ky njeri ka dhënë jetën për qytetrët e Kosovës dhe Gjilanit”, ka thënë Kadriu.
Xhavit Ahmeti, i cili punoi pa ndalë dhe u flijua për çështjen kombëtare, është krenaria e Gjilanit dhe gjithë Kosovës. Është figurë e atdhedashurisë, mbrojtjes së arsimit, përkushtimit dhe flijimit për kombin tonë.
Ai ka dhënë një kontribut të madh me punimet e shumta shkencore, duke pasur kështu një ndikim të konsiderueshëm sidomos në fushën e arsimit, ku përpjekje kryesore e tij ka qenë mbrojtja dhe zhvillimi i sistemit të pavarur arsimor në Kosovë. /2lonline/