Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pritet që të hënën në Bruksel, në prani të baroneshës Catherine Ashton, t’i sqarojë homologut të tij nga Serbia, Ivica Daçiq arsyet e moslejimit të vizitës së tij në Kosovë.
Sipas burimeve të gazetës ”Tribuna”, Daçiqit nga ana e Thaçit do t’i kumtohet një kusht i ri që do të vlejë për të dhe të gjithë zyrtarët serbë që duan ta vizitojnë Kosovën gjatë fushatës.
E ky kusht është që në asnjë formë të mos u bëjnë thirrje qytetarëve serbë që ta mbështesin këtë apo atë subjekt politik, por në bazë të Marrëveshjes së 19 prillit, të bëjnë thirrje vetëm për dalje në zgjedhje dhe asgjë më tepër. Pranimi i këtij kushti do të jetë kriter për t’i dhënë leje cilitdo zyrtar serb që ta vizitojë Kosovën, ka thënë një burim nga Qeveria e Kosovës.
Për një masë të tillë, ai ka thënë se kanë konsultuar edhe disa nga ambasadat e vendeve më me ndikim në Prishtinë.