(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paraqitur sot raportin nëntëmujor të punës së tij para asambleistëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit. Gjatë seancës së fundit për vitin 2014, Haziri ka falënderuar të gjithë asamblistët, pozitë e opozitë, për rolin e tyre, për kritikat, sugjerimet e rekomandimet.
“Duke qenë autoriteti më i lart ekzekutiv i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, mua më ka bërë të përgjegjshëm dhe vazhdoj të sillem si i tillë karshi Kuvendit Komunal, si organi më i lartë vendimmarrës dhe kontrollues i autoriteteve tjera që përfshin edhe Zyrën e Kryetarit dhe vetë kryetarin e Komunës, autoritet i cili po fuqizohet çdo ditë në ushtrimin e detyrave ligjore për dallim nga e kaluara. Jam falënderues për të gjithë këshilltarët komunal, pozitë e opozitë, që janë të zgjedhurit e popullit për të kontrolluar, sugjeruar, monitoruar dhe shpesh herë për të qortuar Zyrën time dhe mua personalisht në realizimin e objektivave”, tha Haziri.
Duke folur për peripecitë e punës së tij gjatë kësaj periudhe kohore, kryetari Haziri tha se këtë vit e kaluam me një vështirësi të madhe shkaku i borxheve të trashëguara.
“Kaluam një vit jashtëzakonisht të vështirë në kuptimin buxhetor. Duke vendosur prioritetet që lidhen me disiplinën e ashpër buxhetore, disiplinën e ashpër në punë dhe sjellja e zyrtarëve karshi detyrës, e në veçanti servisimin borxheve si barra kryesore për buxhetin tonë, ne kemi arritur që gjatë këtij viti të zbardhim tabelarin tonë dhe jo vetëm përballë qytetarëve, por përballë të gjithëve që përfshin qeverinë, donatorët e në veçanti njerëzit e Gjilanti, duke treguar qartë që angazhim serioz dhe me një përkushtim të përbashkët kemi arritur që t’i shlyejmë një numër të madh të obligimeve të trashëguara që nga viti 2009. Këto obligime nuk kanë përfunduar dhe po paralajmëroj se edhe viti i ardhshëm do të jetë barrë e njejtë në realizimin e këtij objektivi. Shlyerja e 2 milionë eurove borxhe, që Komuna me ose pa vetëdije ka rrëshqitur në këto probleme, tregon qartë që ne dëshirojmë të lirohemi nga këto obligimet e Komunës dhe të fillojmë të planifikojmë ndërtim, zhvillim dhe prosperitet për qytetarët tanë. Natyrisht, që secili i zgjedhur në vitin e parë, do të kishte vendosur të punoj me 2 milionë euro, e jo t’i paguaj borxhet, por duke e pasur përvojën e jetës në zyre të tilla, e vecanërisht në Komunën e Gjilanit, pa asnjë hezitim kam vendosur që t’i shlyej të gjitha obligimet, të gjitha borxhet në mënyrë që të lirohemi nga kjo barrë, sepse siç thotë populli ‘borxhi nuk pret ditë ët bardhë’, ka shtuar Haziri.
Si sfidë tjetër gjatë këtij viti, Haziri ka përmendur edhe mbingarkesa e stafit, e cila ka qenë një barrë jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e Komunës
“Sfida tjetër kryesore ka qenë mbingarkesa e stafit. Duke qenë Komunë e cila ka pasur 132 të angazhuar në punë, ka qenë një barrë jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e Komunës, e cila ka marrë shumë mjete buxhetore. Lirimi nga këto obligime, zvogëlimi deri në pikën minimale, ka bërë që pjesa më e madhe e buxhetit të kursehet dhe të planifikohet një mënyrë tjetër e realizimit, apo të gjetjes së mënyrës për plotësimin e hapësirave të punës sepse, për shembull, shëndetësia primare dhe administrata ka nevojë për staf shtesë. Paralelisht kësaj, ne kemi arritur që përvec largimit të kësaj barre, si rekomandim edhe të auditorit të pavarur dhe ai i brendshëm, të krijojmë mundësi që ngarkesën plotësuese të stafit ta realizojmë me detyrë shtesë apo me punë sekondare të stafit të njejtë, kryesisht në zyrën e kryetarit. Më lejoni t’ju kërkoj falje që në këtë raport nuk është paraqitur puna e zyreve të kryetarit të Komunës, por kjo zyre bartë kryesisht detyrat sekondare apo shtesë të të gjithë stafit ne mungesë në administratë sepse është krijuar komoditeti nga ato pozita që ne më herët i kemi gjetur si pozita të ‘ftuara’ apo të kontraktuara për nevoja të ish-administarës”, ka thënë kreu i Komunës para asambleistëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
“Problemi i cili i tejkalon të gjitha këto situata është thyerja e kufijve buxhetor. Ne, së bashku me ndihmën e këtij Kuvendi, me arsyetimin që e kemi paraqitur para qeverisë, e në veçanti mbrëmë pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës, kemi ndikuar që të miratohet një buxhet për Komunën e Gjilanit, i cili, thyen kufijtë për 4.2 milionë euro në kategoritë që vërtet kanë qenë zbraztësira serioze për investime në Komunën e Gjilanit, për rregullimin e stafit dhe sektorëve të mëdhenj siç është arsimi. Ne kemi arritur ta bindim qeverinë që thyerja e kufijve buxhetor për Gjilan është vetëm fillim i rehabilitimit të buxhetit dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Në kategorinë e investimeve, Gjilani ka qenë i diskriminuar dhe i përjashtuar e në anën tjetër ka qenë i trajtuar e barabartë kur ka ardhur puna e prerjeve buxhetore në shërbime dhe mallra. Thyerja e këtyre kufijve buxhetor, rehabilitimi i buxhetit tonë dhe shpresa që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë buxhet i investimeve, tregon për nj fillim të ri për qytetarët e Gjilanit sepse do të hapen korridoret, rrugë dhe investime për prosperitet që qytetarët e Gjilanit të kenë mundësi të barabartë qarkullimi dhe akcesi në të gjitha korridoret që i jep shteti ynë”, ka shtuar ai.
Problem tjetër me të cilën është përballur gjatë punës së tij, kryetari Lutfi Haziri ka thënë se është ai i mungesës së banimit dhe strehimit.
“Problemi tjetër që dua ta nënvizoj në këtë raport nëntëmujor është banimi. Përkundër që ekziston një numër i madh i shtëpive të zbrazura, e që janë pronarë mërgimtarët tanë, ndërkohë që ne kemi evidentuar një numër të madh të familjeve që janë pa banim. Sipas një grupi punues që është marrë me këtë punë gjatë tërë vitit, ne e kemi arritur ta kategorizuar banimin social, banimin si zgjidhje për disa familje sidomos për sektorin e arsimit apo shëndetësisë, apo shtresa e qytetarëve tanë që ka të ardhura por nuk ka banim të rregulluar dhe kategoria tjetër është banimi për çiftet e reja, që kanë problem serioz dhe është njëri nga problemet që duhet të trajtohet. Ne i kemi dhënë përparësi fondit social, duke vendosur fondin për këtë, duke organizuar solidaritet qytetar për zgjidhjen e këtij problemi dhe duke hyrë në aranzhman tripalësh, në mes të Komunës, donatorit dhe përfituesit në mënyrë që 120 familjet e para të përfitojnë në ndërtim të shtëpive, meremetim dhe pagesë për qira”, u shpreh ai.
Sa i përket investimeve në sektorin e bujqësisë, Haziri tha se kemi arritur që këtë vit t’i subvencionojmë të gjitha kërkesat për mbjelljet vjeshtore, ndërsa shtoi se për vitin 2015, përvecç 1.2 milionë euro sa janë ndara, Komuna ka përfituar edhe 600 mijë euro të tjera nga një grant i Komisionit Europian.
“Bujqësia si sektor ka qenë në vëmendjen tonë në këtë nëntëmujor. Duke e parë se buxheti është problem kryesor, ne kemi arrit që edhe në rastin e këtij sektori të madh siç është bujqësia, ne kemi krijuar mundësi për të gjithë barabarësisht, pa kushte dhe pa kritere të sforcuara që përjashtojnë shumë familje bujqësore, ne kemi arritur që edhe këtë vit t’i subvencionojmë të gjitha kërkesat për mbjelljet vjeshtore. Ndërsa, vitin e ardhshëm natyrisht se përveç buxhetit të planifikuar prej 1.2 milionë euro, ne jemi përfitues edhe të një granti të madh nga Komisioni Europian, si partner implementues me KE, prej 600 mijë euro, për sektorin e bujqësisë, në të cilin hyn edhe programi me qeverinë turke dhe programet me qeveritë tjera, duke e rritur fondin e bujqësisë dhe duke krijuar mundësi që të gjitha familjet që merren me bujqësi, përveç që kanë mundësi të subvencionohen me kosto zero, ne kemi mundësi t’i zgjedhim përfituesit, apo t’i zgjedhim vendbanimet, lagjet, fshatrat që i realizojnë këto programe 100%, ne do t’i ndajmë një grant prej 50 mijë euro për projekt komunitar”, ka thënë kryetari i Gjilanit.
Haziri tha se gjatë kësaj periudhe e kemi thyer vëmendjen së Prishtinës si kryeqytet politik dhe administrativ dhe i Tiranës në raport me Gjilanin ka qenë njëri prej aktiviteteve konkrete.
Duke qenë si njëra prej Komunave të anashkaluara edhe në raport buxhetor por edhe politik, ne kemi arritur që me një angazhim më serioz, me një arsyetim detal, ta kthejmë vëmendjen e kryeqytetit – Prishtinës, që nënkupton Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës në raport me Gjilanin duke i trajtuar njerëzit e saj në kuptimin buxhetor. Ne nuk kemi nevojë me na dashur askush më shumë apo më pak, kemi nevojë të trajtohemi barabarësisht dhe natyrisht kemi nevojë të trajtohemi në mënyrë të drejtë. Shpallja “Qytetar Nderi” i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili shënon vizitën e parë të një autoriteti të madh politik të Republikës së Shqipërisë, në Gjilan, për herë të parë në historinë e Gjilanit, tregon qartë që edhe Kuvendi Komunal, edhe ne si qytetarë të Gjilanit, nderohemi”, tha ai.
Ai tha se do të punojmë shumë që Gjilanit t’ia kthejmë edhe vëmendjen e partnerëve, miqve tanë që i kemi gjetur në këto 15 vjetët e fundit, kudo që janë në Europë, Amerikë, në mënyrë që Gjilani të ketë vëmendjen e atyre qeverive siç e ka edhe sot, duke e rritur edhe më shumë kujdesin për absorbimin e fondeve më të shumta, në absorbimin e të mirave dhe mundësive që këto shtete i ofrojnë për qytetarët e Kosovës.
Haziri theksoi se Gjilani duhet të jetë krenar për arritjen e shkallës së bashkëpunimit me qeverinë Amerikane që e ka nëpërmjet USAID-it në Kosovë, me GIZ-in Gjerman, me qeverinë Zvicerane, me Komisionin Europian në veçanti dhe me qeveritë e tjera që japin fonde për Ballkan dhe Kosovë, shumica absolute e tyre ka ndarë fonde për Komunën e Gjilanit.
“Vitin e ardhshëm këto fonde do të rriten, këto fonde nuk janë dhurata, por, fitohen duke konkurruar dhe duke e arsyetuar konkurrimin. Nuk marr pjesë në garën e “pështymave”, dhe nuk jam autoritet i zgjedhur i cili kopjoj apo të sillem karshi situatave me paragjykim. Në asnjë situatë nuk do të sillem jashtë asaj që jam rritur, jam kultivuar në jetën politike të Gjilanit. Kultura ime është lindë, është rrit dhe është pjekur në Gjilan. Nuk mund të sillemi në asnjë mënyrë tjetër pos ashtu siç janë qytetarët e Gjilanit, të përgjegjshëm, të sjellshëm, të kujdesshëm, në raport me njëri-tjetrin, në raport me ata që kanë mendim tjetër politik, në raport me ata që kanë etni tjetër, fe tjetër dhe besim tjetër’, tha Haziri.
Kryetari i Gjilanit theksoi se 35 projekte të ish-qeverisjes janë në hetime në prokurorinë speciale.
“Bëhet fjalë për projektet nga viti 2009 deri në 2013 dhe është çështje e hetuesve, çka bëjnë me ato lëndë, dhe njëra prej lëndëve është edhe Kodra e Dëshmorëve. Kjo është arsyeja që unë nuk dalë personalisht si kryetar Komune në atë vend të shenjtë me vendos lule, sepse ai vend, ai projekt është nën hetime. Derisa nuk kryhen hetimet, derisa nuk rregullohet ai park, na e pamundëson, le të bartin atë barrë ata të cilët e kanë sjellë situatën në këtë gjendje”, është shprehur kryetari Haziri.
AI informoi asambleistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit se Raporti njëvjeçar do të vjen në seancën e parë të janarit, ku do të përfshijë edhe programin, angazhimin dhe formatin krejt tjetër nga ky raport.
Krejt në fund, Haziri tha se “më lejoni që deri në gjunjëzim t’i nderojmë të rënët në masakrën e Gjilanit, në veçanti, jam i nderuar që qyteti i Gjilanit, të masakruarit, të vrarit, dëshmorët, heronjtë, janë dekoruar me dekoratën “Urdhrin e Lirisë”, që e jep presidentja e Republikës dhe është një mirënjohje e veçantë për kontribut që për herë të parë shteti i Kosovës, ia atribuon të rënëve për liri Komunës së Gjilanit”. /2L ONLINE/