Zyra e Ofiqarisë aspak komode për kurorëzim

Zyra e Ofiqarisë aspak komode për kurorëzim

Po e shoh shumë herë që në zyrën e ofiqarisë, kur shkojnë me lidhë kurorë qiftet, zyra e ofiqarisë është shumë e zymtë, për të realizuar brenda saj një akt aq pozitiv e madhështor për qytetarin.

Fikri Mehmeti

Administrata e Përgjithshme në bashkëpunim me kryetarin e komunës, nuk di se si ka mundësi të mos e respektojnë aktin më të lartë në jetën e një qytetari, martesën, dhe të lejojnë që kjo procedurë të kryhet brenda një vendi që i ngjason birës së miut.

Është një background muri i gëlqerosur në “tetëdhjetë e shmajtën”, me ngjyrë të djegur dhe gjysmë e lyer me “mallter”, duke qëndruar përpara tij një qift i ulur në bankë shkolle si në klasat e viteve 90-ta, dhe dy karrige tjera mbrapa për dëshmitarët, të ulur si shokët e klasës.

Fatkeqësisht pamje të tilla shohim kur qytetarët i publikojnë fotot në rrjetet sociale.

Kjo zyrë duhet të jetë në një ambient më të hapur, më të ndritshëm dhe më komod. Duhet ta ketë një background të veçantë, përderisa bëhet fjalë për kurorëzim, pse jo një skenë më të përshtatshme, ku qiftet mund të fotografohen gjatë dhënies së nënshkrimit, sepse është një vepër që ndodh një herë në jetë dhe së paku për qytetarin është ditë e veçantë.

Dhe gjithmonë do të mbetet si e tillë.

Kryetari i Komunës së bashku me Drejtorin e Administratës së Përgjithshme, duhet ta respektojnë qytetarin duke i ofruar ambient më të mirë për të kryer procedurat e kurorëzimit, në zyrën e Ofiqarisë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE