Zuzaku: Objektivat e këtij viti, kreu i tabelës dhe Kupa e Kosovës

Zuzaku: Objektivat e këtij viti, kreu i tabelës dhe Kupa e Kosovës

“Synimet e Klubit të Futbolli Drita dallojnë diametralisht në krahasim me vitin e kaluar dhe se këtë vit ky klub synon të jetë në kreun e tabelës dhe pretendent për Kupën e Kosovës”, ka thënë kryetrajneri i bardhë e kaltërve, Milaim Zuzaku.

Klubet e Vala Superligës së Kosovës në futboll po përgatiten intensivisht në prag të fillimit të kampionatit të ri, gjersa pas qëndrimit një javor në Ohër për stërvitje, Drita ushtrimet i ka vazhduar në Gjilan.

E i kënaqur me përbërjen e lojtarëve dhe optimist për kampionatin e ri u shpreh kryetrajneri Milaim Zuzaku, i cili theksoi se tashmë janë gati dhe me objektiva të qarta për stinorin e ri.

“Objektivat këtë vit janë kreu i tabelës dhe Kupa e Kosovës. Kemi sjellë lojtarë me vlera ata që i kemi dashtë. Gjithë lojtarët i kemi sjellë t’u bazua në kualitetin e tyre dhe objektivat e klubit. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me përgatitjet, mendojmë që këtë kampionat kemi të bëjmë me një tjetër Dritë, e cila do ta rivalizojë Prishtinën e Trepçën 89, por e shoh një kualitet edhe me të lartë dhe një hap përpara”, ka thënë kryetrajneri Zuzaku.

Në javën e parë të këtij stinori, të dielën, Drita do të përballet me Prishtinën, çka sipas Zuzakut, Drita udhëton për të fituar.

“Loja me Prishtinën është derbi i kësaj xhiroje, sigurisht. Shkojmë për të fituar, unë edhe ashtu për nga natyra jam optimist dhe gjithmonë sulmoj. Meqë jemi këtu, këtë vit kemi synime të qarta dhe shpresoj të na ecën mbarë”, ka thënë kryetrajneri Milaim Zuzaku.

Sipas tij në konkurrencë për titull këtë vit janë Prishtina, Trepça 89, Feronikeli, ndërsa në krye të tabelës e sheh edhe Dritën, falë përbërjes së lojtarëve dhe përgatitjeve të para kampionatit.

Trajneri i bardhë e kaltërve nuk la papërmendur tifozërinë, Intelektualët, duke i vlerësuar si lojtarin e tyre të 12-të, nga të cilët ka kërkuar përkrahje edhe këtë vit.

“Tifozët janë pjesa jonë më e ndritur, të cilët janë gjithmonë aty pavarësisht rezultatit. Intelektualët janë lojtari jonë i 12-të, në të gjitha ndeshjet si vendas e mysafirë. Tifozët i japin më shumë shije futbollit, madhështi klubit dhe motiv futbollistëve. Kjo nuk na ka munguar kurrë dhe padyshim përkrahje pres edhe këtë vit”, ka përfunduar Zuzaku.

KF. Drita këtë vit është përforcuar me 12 futbollistë gjatë këtij afati kalimtar dhe merkato e transferimeve do të përfundojë më 1 shtator.

Përndryshe, KF Drita kampionatin e ri në Vala Superligën e Kosovës në futboll e nis, pra, të dielën, si mysafire në ballafaqimin me KF Prishtina.

/Elife Sherifi/ 2LONLINE/

KOMENTE