(2LONLINE) – Lëvizja Vatra me seli në Gjilan ka bërë me dije se në takimin e radhës të kryesisë ku morën pjesë shumica e anëtarëve të kryesisë (16), u diskutua për shumë probleme, por me theks të veçantë u diskutua hapur për zgjedhjen e organeve të kryesisë së Lëvizjes “Vatra”, si dhe për kooptimin e anëtarëve të ri të cilët kanë shprehur gadishmëri të jenë pjesë e Kryesisë së Lëvizjes “Vatra”.
Kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Sejdulla Kadriu ka bërë të ditur se pas diskutimeve, në mënyrë demokratike dhe me vota unanime u zgjodhën dy nënkryetarë: Osman Ramadani dhe Myrtez Limani, ndërsa sekretar u zgjodh, Ibrahim Maliqi.
Po ashtu, sipas tij, kryesia e Lëvizjes “Vatra” me unanimitet të plotë zgjeroi kryesinë me anëtarë të ri. Anëtarët e ri të kryesisë janë: Muharrem Llapashtica Ajvali, Gani Fejza Fushë Kosovë ndërsa, Gani Krasniqi, Labinotë Devaja, Arton Fetahu, Fitore Limani, dhe Ismajlhaki Sadiku, të gjithë këta me vendbanim në Gjilan.
Përndryshe, Lëvizja Vatra, ndonëse subjekt i vogël politik (përfaqësohet në Kuvendin komunal të Gjilanit me vetëm një këshilltar), megjithatë nuk ka mund t’u ik trendit të problemeve që kanë subjektet politike përbrenda vetes së tyre.
Edhe Vatra ka pas telashet e saj përbrenda që shpërthyen në sipërfaqe ditëve të fundit dhe tani ekziston edhe një pjesë tjetër e cila pretendon se është legjitime dhe se ditë më parë edhe ajo pjesë në një takim të tyre, siç thonë të kryesisë së Vatrës, kishin zgjedhur për kryetar Fatmir Arifin.
Pra, tani kemi dy grupacione që deklarohen se janë Lëvizja Vatra legjitime, njëra me kryetar Sejdulla Kadriun, e tjetra palë me kryetar Fatmir Arifin, të cilat tani nuk e njohin njëra tjetrën.
Gjithsesi, i mbetet organeve kompetente për të sqaruar legjitimitetin, ndërkohë që deri sa të ndodh kjo, do të kemi deklarime të herëpashershme nga të dyja palët që thirrën në emër të Lëvizjes Vatra, si strukturë e vetme legjitime. /2l Online/
Sejdulla Kadriu