“Thimi Mitko” pranon donacion nga një organizatë italiane-vlera rreth 40 mijë euro

“Thimi Mitko” pranon donacion nga një organizatë italiane-vlera rreth 40 mijë euro

Shkolla “Thimi Mitko” në Gjilan sot ka pranuar donacionin në vlerë prej mbi 38 mijë euro, nga organizata italiane “Trentina in aiuto per i Balcani”, e që një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe bashkatdhetarët tanë atje.

Ky është kontigjenti i parë me inventarë për kushte më të mira për nxënësit e kësaj shkolle, ndërsa gjatë të ardhmes do të ketë edhe kontigjente të tjera që do të vijnë për këtë shkollë, sipas planifikimit të organizatës dhe gjithnjë në bazë të kërkesës së shkollës.

Gjatë pranimit zyrtar të donacionit, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka falënderuar këtë organizatë për donacionin të cilin e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit.

“Në emër të Komunës së Gjilanit, shprehim falënderimet më të sinqerta për organizatën italiane, dhe popullin italian, që Gjilanin e kanë mbështetur në mënyrë periodike që nga paslufta e këtej. Ky donacion është një mundësi më e mirë për nxënësit e kësaj shkolle dhe për mësimdhënësit në përgjithësi. Shkolla “Thimi Mitko” është në mesin e shkollave më të mira në Gjilan. Presim që rezultatet dhe sukseset tani e tutje të jenë edhe më të mëdha nga nxënësit dhe mësimdhënësit e saj. Komuna e Gjilanit do të mbetet e përkushtuar për bashkëpunim më të mirë të mundshëm me të gjithë donatorët, ndërsa ky donacion dhe donacione të tjera, nga institucionet komunale ruhen me kujdes dhe shfrytëzohen poashtu, sepse janë lidhje të fuqishme miqësie dhe partneriteti”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

Kurse, Jyksele Gjinolli, drejtoreshë e “Thimi Mitko”, ka thënë se përzgjedhja e projektit të shkollës është një krijim i vetëbesimit dhe angazhimit më tutje, falë edhe mbështetjes së bashkatdhetarëve tanë dhe organizatës italiane, që sipas saj krijojnë kushte krejtë tjera për nxënësit e shkollës.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se inventari i ardhur në këtë shkollë krijon kushte jashtzakonisht të mira dhe gjithnjë do të mbetet si një mbështetje shumë e madhe e kësaj shkolle nga organizata tashmë mike e përhershme e shkollës sonë, e nxënësve, mësimdhënësve dhe e prindërve.

Kurse, Nazim Berisha, përfaqësues i organizatës italiane, ka thënë se për më shumë se 8 vjet janë duke kontribuar në arsimin dhe shëndetësinë kosovare, me qëllim të përmirësimit të kushteve në shkolla dhe spitale, sepse, siç ka thënë ai, janë dy shtyllat kryesore të një shoqërie të fuqishme.

Berisha, po ashtu, ka bërë të ditur se ndjehet jashtzakonisht mirë kur sheh që donacioni është mëse i nevojshëm për këtë shkollë dhe gjithnjë do të angazhohet për t’i mbështetur shkollat dhe spitalet edhe në të ardhmen.

KOMENTE