Drilon Milazimi
(2LONLINE) – Hashim Thaçi, mbetet bashkudhëtari më besnik i rrugëtimit të Kosovës, që prej robërisë – drejt çlirimit; mbrojtjes së lirisë – drejt shpalljes së pavarësisë, e po vazhdon ta udhëheq, duke e shpjerë me kohë, në të gjitha stacionet e itinerarit, mbase, siç do t’i shpëtonte atij vetë, “ai e di datën”, deri në atë që është quajtur synimi final i tij – anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, anëtarësimin në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO.
Hapi i parë drejt lidershipit është shërbimi. Ai ishte shërbëtori i tokës së shenjtë dhe shërbëtori i idealeve të atyre që derdhën gjakun për liri dhe pavarësi. Sot, në këtë frymë shumëdimensionale të demokracisë, çdokush kritikon “gjarprin”, pa asnjë bazë apo fakt, real e konkret. Është njerëzore dhe normale, të hidhet një kritikë për ndonjë gabim, në ndonjë sektor institucional, por nuk është e ndershme të kritikohet për tradhti.
Është fenomen se si të gjithë ata njerëz që janë të kontaminuar “nacionalisht”, thurin vargje “fantome”, në drejtim të prijësve të luftës. Kur Hashim Thaçi ishte i mbuluar nën petkun e uniformës së UÇK-së, që edhe sot po dëshmon që mbetet i mbuluar nën atdhe-dashuri, “ata” që po kritikojnë kanë qenë të strehuar nën ombrellën dhe frymën famëkeqe të asaj kohe.
Kur një “person-lider” nuk është i aftë t’i zgjidhë problemet vitale, degradohet. Fryma jokombëtare e disa liderëve, të disa subjekteve politike, që e kanë sjellë në metamorfozë gjendjen reale (duke fshehur të bëmat e tyre dhe rolet në piramidën udhëheqëse të asaj kohe), për interesa individuale, duke u fshehur në kafazin patriot dhe duke etiketuar krahun e luftës si tradhtar, profiterë të luftës, e çka jo tjetër.
Mirëpo, kur lufta e gjigantëve përfundon, lufta e xhuxhëve dhe bacil-bartësve-shpifës fillon, kështu filluan edhe shpifjet, mirëpo pavarësisht kësaj, karvani ecën kryelartë në proceset historike të vendit.
Gjithsesi, duhet theksuar edhe mendimi i të ndjerit, Nelson Mandela, se nëse dëshiron paqe me armikun, duhet të punosh me të, dhe këtë është duke e bërë me precizitet të lartë, lideri i luftës dhe paqes, z. Hashim Thaçi. /2lonline/