Të qëllimshme, apo rastësi ?!

Të qëllimshme, apo rastësi ?!

Shumë gjëra, që po ndodhin tek ne në Kosovë, të japin përshtypjen, se kanë dirigjim dhe orkestër …! Në të shumtën e rasteve, dashje apo pa dashje, pushtetet bien në majë të “tehut” të orkestrimit të diçkaje dhe orientimit të çështjes që vet e “pjell”.

Murat Mustafa

Njëra nga orkestrimet, që më shumë i ha pazari në Kosovë, është besimi fetar – Islami. Andaj, jo rastësisht sa herë të ketë ndonjë çështje të ndjeshme, shigjetat orientohen drejtë Islami, besimtarëve islam, apo objekteve fetare Islame – xhamive.

Prandaj edhe jo rastësisht, shfrytëzohet besimi Islam prej të gjithëve, madje shpesh edhe nga vet krerēt e BIK-ut …!

Nuk është tashmë i panjohur edhe rasti i mbulesës ( shamisë ), mjekrrave, etj .. që përdoreshin si ekstremizma fetar Islam , në prag të ndonjë belaje që atakonte pushtetet, ose edhe në fushatat zgjedhore.

Tashmë botërisht është e njohur, se mbi 90% e popullsisë së Republikës së Kosovës i takon besimit Islam dhe s’ka dilemë se pushteti lokal i Prishtinës (së shpejti edhe Qeveria e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti), nuk do të lejojë që ritet fetare Islame , si namazet e xhumave, e Festat e Bajramit të falen në rrugë, pluhur, shi e baltë.

Por, këtu shihet koordinimi i veprimeve të Kryetarit të BIK-ut Naim Tërnava dhe disa të ashtuquajturave Organizata joqeveritare, i pari me kërcënimin, se me e pa leje do ta nisin ndërtimin e xhamisë, dhe të dytat me presionet se Xhamia Qendrore nuk i plotëson kriteret, sepse është kopje dhe prish rregullimin urbanistik të Kryeqytetit, nuk bëjnë tjetër pos mjegull , për ta sjellë pushtetin lokal në Prishtinë dhe Shpend Ahmetin, para aktit të kryer se është kundër ndërtimit të xhamisë …!

Vallë, pse u prit tash e pesë vjet ndërtimi i xhamisë ? – Po ku ishin dhe ku tretën OJQ-të, që nuk mblodhën nënshkrimet e peticionet ?! – Po BIK-u, ku ishte …?! – E me ligjin për Prishtinën ç’u bë ?!

Orkestrimet e këtilla dhe të ngjashme, bënë që votuesit të ndërrojnë mendjen, e me këtë edhe votën . Kosova , thua se nuk ka probleme më të mëdha në këtë kohë, përveç se ndërtimi i xhamisë ?!

Sikur rastet tjera që kanë dështuar, jemi tē bindur se edhe ky keqinformim apo keqpërdorim i qytetarëve të Kosovës, do të dështoj. Xhamia duhet të ndërtohet, çoftë edhe me projektin turk, apo siç po shprehen se është kopje turke.

Mjafton të kuptojnë qytetarët, se është shtëpi e Zotit dhe hyrja të jetë ashtu si duhet, pra nga Kibla, sepse aty shkohet për t’u lutur e jo për pazare politike, e ndërskëmbëza siç jemi mësuar t’i shohim.

Prandaj, mjafton që qytetarët e Prishtinës dhe krejt Kosovës, të kuptojnë, që është xhami me 4 minare apo me asnjë …!

Nuk mund ta kuptojmë reagimin e disa individëve, të cilët thonë, se është kopje turke, e nuk përkon me stilin arkitektonik tē lagjes, apo ambientit?!

Por, po harrojnë se në mes të Prishtinës, gjendet njëra nga ndërtesat më të shëmtuara në botë (së paku kanë shkruar kështu).

Ky problem zgjidhet shumë shpejt, nëse Bashkësia Islame dhe Komuna e Prishtinēs, ulen dhe bisedojnë për modalitetet e ndërtimit të xhamisë, duke shikuar mundësitë, e duke analizuar për së fundmi herë projektin fitues, me përshtatjet e planit rregullativ urbanistik.

Pastaj Komuna me një vendim te posaçëm jep leje për ndërtimin e xhamisë. Pra, nëse ka vullnet për ta zgjidh këtë problem, atëherë edhe do të zgjidhet, sepse alternativë tjetër nuk ka .

Por, nëse krejt kjo bëhet për interesa të grupeve të caktuara politike a parapatike, e jo të xhematit, jam i bindur se pasojat do t’i bartë xhemati, ndërsa BIK-u dhe OJQ-të, do të përfitojnë përqindjet e tyre, sikur edhe deri më tash…

Sikur deri më tani, që qytetarët e Kosovës nuk kanë ra pre e pushteteve, besoj shumë se as Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti nuk do të bjerë në këtë grackë, që e kanë kurdisur pushtetet. Besoj shumë, se do të gjendet mundësia më e vogël dhe leja për ndërtimin e xhamisë do të merret.

Disa portale dhe individë, po e akuzojnë, por edhe po ofendojnë anëtarët dhe Lëvizjen Vetëvendosje, kinse për bllokim apo zvarritje dhe mund të jetë ndonjë individ e që nuk e përjashtojmë sepse siç thotë një fjalë popullore;”mal pa ujk nuk ka! ” , andaj edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, që është shndërruar në mal të paprekur nga 11 qershori, mund edhe të ketë ndonjë.

Mund të ketë individ, që shprehin mendimin e tyre personal, çoftë për ndërtimin e xhamisë, apo mosndërtimin e xhamisë. Jam shumë i sigurt, se në LVV, numri i personave që janë kundër ndërtimit të xhamisë, nuk kalon më shumë se dhjetëra individë, andaj, nuk është mirë të futen të gjithë në një thes.

Jam më se i bindur, se në këtë xhami që do të ndërtohet, do të jenë mbi 70% e xhematit anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje!

/Autori është nënkryetar i dytë, i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE