Të hënën fillon Java e Imunizimit

Të hënën fillon Java e Imunizimit

Imunizimi është një nga intervenimet më efektive të shëndetit publik dhe ka potencial për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve.

Imunizimi ruan jetë të shumta për çdo vit dhe kjo arritje e suksesshme në lëmin e shëndetit publik duhet të përkrahet.

Duke respektuar se secili fëmijë meriton fillimin e shëndoshë të jetës, me rastin e Javës të Imunizimit, do të përkrahen aktivitete për të ngritur vetëdijen e politikë-bërësve, vendim-marrësve, profesionistëve shëndetësor prindërve, familjeve për rëndësinë e vaksinimit dhe avokim për vaksinim të gjithë fëmijëve.

Java Botërore e Imunizimit, 24-30 Prill 2017

Për ta shënuar Javën e Imunizimit do të mbahet një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Imet Rrahmanin, Zëvendës Shefin e Zyrës së UNICEF-it, z. James Mugaju, përfaqësuesit e IKSHP-së dhe OBSH-së dhe punonjësit e shëndetësisë për t’i nxjerrë në pah përfitimet nga imunizimi. Takimi do të mbahet të hënën, më 24 prill 2017, në ora 10:00 në Ministrinë e Shëndetësisë.

Java Botërore e Imunizimit e cila është festuar gjatë javës së 24-30 prill, synon t’a promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur njerëzit e të gjitha moshave kundër sëmundjeve. Java përqendrohet në nevojën për ta rritur ndërgjegjësimin e hartuesve të politikave, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe kujdestarëve, si dhe popullatës më të gjerë, për rëndësinë e imunizimit në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese. Gjithashtu thekson rolin vendimtar që profesionistët shëndetësor e luajnë në krijimin e praktikave të mira të imunizimit. Gjatë kësaj jave, synohet të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë vendimtare të imunizimit të plotë gjatë gjithë jetës dhe rolin e saj në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në 2030.

Imunizimi është një nga nismat më të suksesshme të shëndetit publik dhe programet shëndetësore me kosto më efektive. Vaksinat kanë efekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. Çdo vit, imunizimi shmang rreth 2-3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse që i prekin fëmijët në mënyrë joproporcionale (të dhënat e Imunizimit Global 2012, të OBSH & UNICEF).

Në Kosovë, 79% e fëmijëve të moshës 24-35 muajsh janë të imunizuar plotësisht (ASK, MICS 2014). Megjithatë, mbulimi i imunizimit mbetet shumë më i ulët në mesin e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptiane, ku më pak se një e treta e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë 24-35 muajsh janë plotësisht të imunizuar (30%) (MICS 2014). Konsiderohet se një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit është si pasojë e mungesës së njohurive dhe ndërgjegjësimit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen.

Zgjerimi i qasjes ndaj imunizimit është vendimtar për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Vaksinimi rutinor është ndërtim i një shtylle të kujdesit primar shëndetësor dhe mbulimit universal shëndetësor. Imunizimi siguron një pikë kontakti për kujdesin shëndetësor në fillim të jetës dhe i ofron çdo fëmije mundësinë për një jetë të shëndetshme që nga fillimi.

MeSH, UNICEF, IKSHP dhe OBSH do të vazhdojnë t’i mbështesin fuqishëm përpjekjet e vaksinimit me qëllim që ta parandalojnë ri-shfaqjen e sëmundjeve tepër ngjitëse, që shkaktojnë sëmundje, paaftësi dhe vdekje dhe e vendosin një barrë të konsiderueshme mbi sistemet e kujdesit shëndetësor.

Vaksinat janë falas dhe në dispozicion në objektet shëndetësore në mbarë Kosovën.

Në lidhje me UNICEF-in

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në gjithçka që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime praktike, duke i përqendruar përpjekjet e veçanta për t’i arritur edhe fëmijët më të prekshëm dhe të përjashtuar, në të mirë të të gjithë fëmijëve, kudo që janë. Për më shumë informacione rreth UNICEF-it dhe punës së tij vizitoni: www.unicef.org

KOMENTE