Sylejmani: Vadat e kanalizimit në Gjilan shkojnë skurrel!

Sylejmani: Vadat e kanalizimit në Gjilan shkojnë skurrel!

Anëtari i Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fehmi Sylejmani, ka ngritur disa shqetësime aktuale dhe të nevojshme të qytetarëve gjilanas, teksa, siç thotë ai, organet relavante të komunës fare nuk gërzhiten për këto çështje akute, e që po harrojnë se janë përgjegjësi kryekëput e tyre.

“Kryetari i komunës Lutfi Haziri, ndonëse me të madhe kishte premtuar para fushatës dhe gjatë qeverisjes së tij, se qyteti i Gjilanit do të jetë i pastër dhe asnjë vade nuk do të rrjedhë, kjo ka mbetur vetëm premtim elektoral dhe demagogji fjalësh, sepse realiteti po dëshmon krejt të kundërtën, meqë në brendësi të qytetit, në këtë vapë të madhe vadat e kanalizimit po shkojnë skurrel!”, thotë Sylejmani.

Sipas tij, saktësisht mbrapa objektit të ish kryetarit të komunës, në truallin e dikurshëm të Eko-Higjienës, e që tashmë shfrytëzohet si parking për automjetet e qytetarëve, nga një puset rrjedhë kanalizimi pandërprerë, duke krijuar vade të formës së përroskave dhe asnjë zyrtar komunal fare nuk qanë kokën për këtë defekt, që ka pasoja të rënda në aspektin shëndetësor.

“Më të atakuarit nga kjo avari fekale janë si gjithmonë tash e sa vjet banorët për rreth lumit Mirusha, të cilëve akoma nuk ju është bërë zgjidhje e premtuar kaherë nga ish qeverisjet e deritshme, sepse tashmë kjo çështje është bërë përrallë, duke ditur faktin se kjo qeverisje madje e ka devijuar edhe planin e lumit Mirusha, duke u arsyetuar se mënyra e mbulimit të lumit është më e mirë për këta banorë, ndonëse në këtë devijim të këtij plani dyshohet për përfitimi personale nga krerët më të lartë komunal”, thotë Sylejmani.

Sipas tij, po ashtu parku në lagjen Dardania I, ka mbetur nën mëshirën e fatit, sepse askush nuk përkujdeset, derisa kemi kubëza të dëmtuara, fusha e basketbollit e qarë, drita fiken herët dhe është e pa mirëmbajtur.

Gjithashtu një shqetësim tjetër për qytetarët gjilanas në këtë vapë të madhe, sipas Sylejmanit, është edhe neglizhenca e përgjegjësve komunal, që fare nuk merren me freskimin/pastrimin e rrugëve e veçanërisht atyre të lagjeve brenda qytetit.

“Dhe, krejt në fund po ashtu një papërgjegjësi totale e këtij pushtetit është mos mirëmbajtja si duhet e varrezave të qytetit, meqë jo larg festës së Fiter Bajramit shumë qytetarë gjatë vizitave varreve të afërmve të tyre janë indinjuar dhe zhgënjyer me atë që kanë parë tek varrezat”, ka thënë Sylejmani i Vetëvendosjes.

KOMENTE