Sqarohet MSH-ja për konkursin e specialistëve mjekësor

Sqarohet MSH-ja për konkursin e specialistëve mjekësor

Me qëllim të informimit të drejtë të profesionistëve shëndetësor, përkatësisht mjekëve specialistë që presin për punë dhe opinionit publik, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se në vazhdimësi është preokupuar më kërkesat e tyre të cilat i ka diskutuar me nivelet më të larta vendimmarrëse në vend dhe me vet profesionistët në kërkim të zgjidhjeve sa më praktike.

Si rezultat i angazhimeve konkrete dhe sigurimit të informatave të plota për numrin e specialistëve të papunë dhe profilet e tyre që për herë të parë në Kosovë si proces është kryer nga Ministria e Shëndetësisë vitin e kaluar, me lejim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe futjen e vendeve të lira për punësimin e tyre në Ligjin për Buxhetin e Kosovës 2017, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë i ka angazhuar rreth 220 mjekë specialistë në punë, në dy periudha kohore nga tre muaj (nëntor-dhjetor 2016 dhe janar-mars 2017), për të siguruar për ta hapjen e konkurseve për pranin në marrëdhënie të rregullt pune: Konkursi i parë është shpallur më 21 mars 2017, kurse konkursi plotësues më 14 prill 2017.

Shpallja e konkurseve për këto vende të punës për mjekët specialistë është bërë sipas kërkesave të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), njësive të saj përbërëse (spitaleve të përgjithshme), Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ).

MSh shpreh keqardhje që inkuadrimi në punë të përhershme i specialistëve në SHSKUK është shtyrë për shkak të kërkesës së Inspektoratit të Punës që konkursi për këtë shërbim të anulohet, derisa konkursi për IKSHP dhe QKTGJ është në zhvillim e sipër.

Duke shprehur vërejtjet e saj ndaj kërkesës së Inspektoratit i Punës, të cilën MSh e ka ankimuar në afatin ligjor në institucionet kompetente, MSh siguron specialistët e papunë se do të bëjë çfarë është në përgjegjësinë e saj që ata të sistemohen në afat sa më të shpejtë që të jetë e mundur në punë të përhershme, ndërkohë që shpreh keqardhjen dhe shqetësimin e saj, që kjo situatë rreth specialistëve të papunë, po përdoret edhe për adresime të tjera jashtë interesit të vet specialistëve mjekësor.

KOMENTE