Sistemi që duhet ndryshuar

Sistemi që duhet ndryshuar

Një sistem i (ndërtuar) keq do të mposhtë gjithmonë një njeri të mirë – ky ishte një konstatim nga profesori amerikan W.Edwards Deming gjatë një ligjërate të tij në vitin 1993 në Phoenix të Arizonës drejtuar disa studentëve dhe studiuesve të asaj kohe.

Liridon R. Rama

Ky vlerësim i tij nuk ishte fokusuar në atë se çka një student, ose një i papunë mund të arrij brenda një sistemi të keq, por më shumë në atë se dëmet e të qëndruarit (pasiv) në atë lloj sistemi shtetëror mund të dërgojnë në pasoja afatgjata.

Këtë lloj sistemi e gjejmë në Kosovën e sotshme, e cila falë politikës që po vazhdon të ndjek ka arritur të materializoj një sistem totalisht të dështuar arsimor, ekonomik, shëndetësor dhe kulturor.

Zhvillimi ekonomik dhe emancipimi shoqëror i ndërtuar mbi prangat e ideve të rreme se gjoja do të arrihet nga ndonjëra parti, në këtë apo atë mandat, ka prodhuar një ambient të papërshtatshëm për të shfaq programe të adaptueshme e le më të besueshme të qeverisjes për një shoqëri që jeton në një varfëri të paparë dhe shumë larg shëmbëlltyrës së normalitetit.

Ndërlidhja që bëhet kjo me jetën e qytetarit dosido është evidente, marrë parasysh që asnjëherë deri tani nevojat e qytetarëve s’kanë qenë shqetësim për qeveritarët në Kosovë.

Sipas një raporti të publikuar nga UNDP gjatë vitit 2016, afër 70% të Kosovarëve janë të pakënaqur me orientimin politik aktual të Kosovës.

Që nga paslufta e këndej imponimi institucional që ka ndodhur përmes mbikëqyrjes se faktorit ndërkombëtar por edhe pranimit pa-kushte të “paketave” dhe marrëveshjeve nga liderët politik, ka rezultuar në dështim të krijimit të stabilitetit social e politik.

Edhe pse është rritur pakënaqësia e qytetarëve me drejtimin politik të Kosovës, gjetjet e raportit të lartpërmendur tregojnë që përqindja e Kosovarëve që shprehin gatishmërinë për t’iu bashkuar protestave për arsye politike ka rënë dukshëm nga 42% në 25.5%.

Njerëzit e ndjenjë se jetojnë me një vend ku nuk ka drejtësi, ku nuk ka meritokraci dhe ku puna e ndershme nuk paguhet, por paguhet puna e pandershme dhe kësisoj shoqëria jonë është ndarë në dy rrugë, ata që vazhdojnë qëndrimin këtu dhe ata që braktisin vendin për shpresë më diçka më të mirë.

Ndërsa ata që rrinë këtu kanë braktisur pjesëmarrjen në veprimtari demokratike sepse ndihen të pafuqishëm dhe të nënshtruar përballë arrogancës dhe indiferencës së pushtetit dhe politikës.

Çfarë i duhet këtij vendi është pikërisht teoria që sqaron profesori amerikan, i cili thotë se ne nuk duhet të vazhdojmë të kërkojmë ndryshimin e sistemit me pasivizim apo metodat e vjetra, por që të fillohet dhe kërkohet reformim i brendshëm i cili buron nga ne.

Gjendja nuk mund të ndryshohet duke u munduar ta kuptojmë apo edhe më e keqja ta pranojmë si të tillë, gjendja do ndryshohet kur ne qytetarët e këtij vendi do të kuptojmë rëndësinë e zërit tonë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE