Reportazh: Kur Priboci të pret krahëhapur! (foto)

Reportazh: Kur Priboci të pret krahëhapur! (foto)

Tradita e krijuar e mbajtjes së manifestimit, Takimet e Vendlindjes në Priboc, komuna e Bujanocit, po vazhdon këtu e nëntë vite. 23 korrik 2017, rruga gjarpërore e rrëpirë gumëzhinte nga motoçikletat, xhipat automjetet e shumta dhe traktorët të mbushur plot me banorë që ia kishin mësyrë fshatit Priboc, të cilët katër familjet që janë duke jetuar aty i prisnin sot krahëhapur.

Bina e improvizuar me rimorkia traktori, mbante mbishkrimin “Takimet e Vendlindjes –Priboci 2017, ndërsa në dy anët valonte flamuri kombëtar.

Posa arrinin në lëndinën e gjelbëruar, “Te Kisha”, fillonte përshëndetja e ngrohtë e bashkëvendëseve, që disa, tani e nëntë vjet po takoheshin, e disa për herë të parë.

Jehona e lodrës dhe zurnasë shkonte në tërë fshatrat e Bashkësisë lokale të Zarbicës e më gjerë.

Përveç bashkëvendëseve të shumtë që kishin ardhur në takim, një nder të veçantë, manifestimit Takimet e Vendlindjes –Priboci 2017 dhe gjithë pribocasve i bënë dy profesor- doktorët, studiuesit, gjuhëtarët dhe krijuesit e njohur: Baftjar Kryeziu e Faik Shkodra.

Po ashtu të pranishëm ishin edhe deputeti popullor Fatmir Hasni; shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit Rahim Sadiku; Sekretari i Kuvendit Komunal dhe Drejtori i Zyrës për Zhvillim të Bujanocit; Sevdail Hyseni, Ekrem Krasniqi etj.

Po të mos insistonte konferencierja që të fillojmë programin foljor e kulturor, dukej se nuk do të ndalej biseda e vallja e pribocasëve që kishin dalë sot këtu.

Për fillim, në emër të 4 familjeve, të pranishmit i përshëndeti dhe u urojë mirëseardhje në fshat, Hamdi Krasniqi.

Më pas para të pranishmëve, për historikun e shkurtër të fshatit dhe për disa punët të kryera, brenda një viti, foli veprimtari i Malësisë së Bujanocit, anëtari i Këshillit të Fshatit, bashkëvendësi, Ismet Tafili.

Ai pasi i përshëndeti familjet që janë duke jetuar në fshat, zyrtarët komunal, të pranishmit nga fshatrat tjera, ndër të tjera tha: “…Edhe sot, sa jemi ne të gëzuar, po vërej se edhe këto familje janë shumë më të gëzuara. Kështu ka qenë gjithmonë te malësorët, kështu ka qenë traditë të shqiptarët që mikun ta presin me bukë e krip e armikun me plumb. Kjo trashëgimi është përcjell brez pas brezi edhe te fshati ynë. Historia tregon se në çdo periudhë këtu janë zhvilluar luftëra për liri. Këtu Matë Hashani me banorët e krejt kësaj Malësie e kishte luftuar Turkun, me pastaj edhe austriakun, kralin e bullgarin etj”.

Këtu ishte vija e frontit e luftëtarëve vullnetarë të Mulla Idrizit. Fshati ynë jo vetëm me vullnetarë luftëtarë por edhe me ushqim e kishte furnizuar luftën për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar.

Mbarimi i luftës së Dytë Botërore disa burra të fshatit tonë i përfshiu mobilizimi, duke i dërguar drejtë varrit në Tivar, por deshi fati dhe ata u kthyen.

Në rrethana të reja ky fshat ka nxjerrë njerëz të ditur. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, iu përvesh punës për mbijetesë, por edhe dërgoi djemtë e vajzat për t’u shkolluar. Është për t’u theksuar se, vajza e parë pas LDB që kishte vijuar shkollimin në Malësi, ishte nga fshati ynë. Ishte ajo Fahrije Zahir (Zahë) Sherifi nga Priboci.

Si banorë që dinin shkrim lexim, menjëherë pas luftës u punësuan një numër i konsiderueshëm, atëherë në komunën e Zarbicës, ndërsa Ajeti i Muratit ishte kryesori për rrethin deri në Leskoc. Edhe në vitet 1990 kur filloi formimi i partive shqiptare, Priboci ishte i pari në Bashkësinë Lokale të Zarbicës që formoi degën e PVD-s.

Edhe lufta e UÇK-së dhe UÇPMB-së u ndihmua nga banorët e fshatit. Edhe pse ishin të varfër, ata për djemtë e lirisë ndanin kafshatën e gojës. Dhe nuk ndihmuan vetëm me ushqime e veshmbathje, por edhe duke ua dhënë edhe djemtë e saj.

Po ashtu ai theksoi se nga komuna e Bujanocit, me angazhim të kryetarit Shaip Kamberi, u rrafshua rruga dhe u ndihmuan dy familje të kthyera në fshat:

Nevzad Abdullahut dhe Rexhep Hajdinit. Këtyre familjeve u ndihmuan edhe Ekrem Krasniqi, Këshilli Fshatit dhe shumë të tjerë.

Gjithashtu edhe me ndihmën e banorëve të lagjes Sadikaj, posaçërisht të Sali Sopit u rrafshua rruga për këtë lagje, tha Ismet Tafili.

Takimin dhe të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti popullor Fatmir Hasani; shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit, Rahim Sadiku; veteran i arsimit Xhavit Selmani dhe humanisti Shaban Bajrami nga Muhoci.

Me këtë rast, komuna e Bujanocit, për punën e palodhshme, për kontributin nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë dhe për promovimin e vlerave kulturore dhe historike të fshatrave të Malësisë së Bujanocit, i ndau mirënjohje profesor doktor Baftjar Kryeziut.

Baftajr Kryeziu përshëndeti dhe falënderoi komunën, Këshillin e Fshatit, sikurse edhe foli për mikpritjen që i kishin bërë banorët e fshatit Priboc dhe fshatrave të Malësisë gjatë studimit së toponimisë e onomastikës së fshatrave të Hashanisë.

Këshilli i Fshati ndau mirënjohje edhe veprimtarit dhe humanistit Shaban Bajrami dhe bamirësit dhe njeriut i cili ndihmoi familjet e kthyera Ekrem Krasniqit.

Takimi i vendlindjes, në pjesën e dytë, pati karakter kulturor. Në fillim Fatlinda Basha me recitimin prej një aktoreje të shkëlqyeshme e me emocione i bëri të pranishmit edhe të qajnë.

Recituan edhe Elona dhe Erblin Musliu. Më pas të rinjtë garuan në vrapim si dhe luajtën lojëra popullore si: tërheqja në litar, vrapimi me thes, gjuajta e pllakave me shkop etj. Vallet e burrave nën tingujt e lodrës dhe zurnasë dhe vallet tjera nuk patën të ndalur.

/Ismet Tafili/

KOMENTE