Raportet mes teologjisë dhe filozofisë në Islam si dhe mendimtarët më serioz perëndimorë që e kanë studiuar këtë fushë!

Raportet mes teologjisë dhe filozofisë në Islam si dhe mendimtarët më serioz perëndimorë që e kanë studiuar këtë fushë!

Që në fillim duhet ta themi këtë: Dimensionet e mendimit islam nuk janë të përkufizuar vetëm në rrafshe të caktuar të jetës së njeriut por janë gjithëpërfshirës, andaj me të drejtë thuhet se është bërë gabim kur Islami është identifikuar vetëm me Sheriatin dhe teologjinë (Kelam).

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Ky lëshim i pafalshëm që ka ndodhë si në Lindjen islame ashtu edhe në Perëndimin e krishterë, ka bërë që rolin e filozofisë islame ta dëmtoj në masë. Filozofia islame ka vend të merituar në historinë e zhvillimit të mendimit dhe kulturës islame. Megjithatë, këta rreshta nuk kanë për qëllim të ndriqojnë rolin e filozofisë, por, shkurtimisht do të flasin për pesë periudhat kryesore të raporteve reciproke mes kelamit (teologjia) dhe filozofisë, që kjo fundit, në ditët e saja të para njihej me emrin el-Hikme el-ilahije (teozofia). Edhe diçka. Është shumë interesant fakti se në Perëndimin e krishterë janë studiuar në detajet më të vogla thuajse të gjitha përplasjet dhe ndikimet e ndërsjella mes kelamit (teologjia) dhe filozofisë islame. Në lidhje me këtë, mendimi islam i obligohet studiuesve të krishterë për aq sa këta të fundit i obligohen rolit të myslimanëve në ruajtjen e filozofisë greke deri në kohën e Renesancës.

***
Para se të flasim për periudhat kryesore nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i raporteve reciproke mes filozofisë dhe kelamit, është e udhës të përmendim definicionin e përpunuar në kohët e mëhershme. Sipas këtij përkufizimi, “kelami” është “Arti i cili aftëson njeriun të mbrojë statutet e Sheriatit përmes demonstrimit të përbërë nga premisa të mirënjohura, që njihen patundshëm mes ndjekësve të fesë, qoftë nëse shpien në premisa të vetëkuptueshme apo jo”. Disa shekuj më vonë, janë “përpiluar” edhe definicione tjera, por, me që ato definicione janë shkruar në kohën kur kelami është përleshur ashpër me filozofinë, ato i konsiderojmë definicione të paqëndrueshme.

1. Periudha që fillon me paraqitjet e para të Kelamit e deri në shekullin e IX, pra, treqind vjet me radhë. Dihet mirëfilli, qysh në shekullin e parë të islamit, bashkësia e hershme myslimane u ballafaqua me çështje të atilla si raporti mes besimit (iman) dhe veprës, natyra e Kuranit, legjitimiteti i autoritetit politik. Veç kësaj, debatet e shpeshtuara të myslimanëve me pasuesit e feve tjera e sidomos me të krishterët që këta të fundit kishin zhvilluar argumentet filozofike dhe teologjike për mbrijtjen e shtyllave të fesë së tyre, i shtynë myslimanët të kërkonin zhvillimin e një ngrehine racionale të tyren për mbrojtjen dhe ruajtjen e Islamit. Filozofia greko-aleksandriane të cilën mendimtarët e krishterë e kishin punuar mirë dhe e kishin zhvilluar e me të cilën mendimtarët myslimanë po njiheshin, ishte një tjetër faktor i rëndësishëm në formimin e shkollave të hershme të kelamit dhe zhvillimit të filozofisë islame. Përgjatë kësaj kohe kelamin e mbisundonte shkolla mu’tezilite, pra koncepti racionalist, ndërsa filozofia ishte në fillesat e saj. Sidomos në këtë kohë, filozofëve myslimanë u është dashur të merren me raportin ndërmjet asaj që ishte e disponueshme njerëzisht në lëmin e dijes dhe asaj që ishte shpallur përmes revelatës (vahji). Ishte kjo kohë kur që të dyja këto shkenca zhvilloheshin të ndara, por paralele dhe të afërta mes vete. Edhe pse në këtë kohë shkolla kelamite e Basrës i kundërvihej ashpër filozofisë, El-Kindi, filozofi i parë mysliman i cili kishte përkthyer, shkruar dhe komentuar edhe Aristotelin, edhe më tutje gëzonte një autoritet të madh tek shtresat intelektuale myslimane. Ndër filozofët dhe mendimtarët më të njohur perëndimorë që janë marrë me këtë periudhë të mendimit islam, por edhe me të tjerat të mëvonshme janë Rene Guenon, Ananda, A. Coomaraswamy, Frithjof Schuon, Titus Burckhardt e të tjerë. Sidomos De Boer dhe O. Leaman kanë shkruar për filozofinë islame dhe rolin e teologjisë në mendimin intelektual islam.

2. Periudha e dytë që fillon nga fundi i shek. IX dhe deri në shek. XI, pra afër dyqindvjeçare, është koha kur në skenën intelektuale islame paraqitet shkolla esh’arite në teologji dhe vazhdon deri në fillimin e inkuadrimit gradual të argumentimeve filozofike në teologjinë islame. Ndjekësit e rreptë të hadithit dhe juristët islam, sidomos pasuesit e Ahmed ibn Hanbelit i kundërshtuan të gjitha provat racionale të parimeve të besimit. Shpeshherë myslimanëve u kërkohej tÇi pranonin doktrinat e besimit pa pyetur fare, por ky reagim i përskajshëm kundër prirjeve racionaliste të kelamit nuk mund të zgjaste përgjithmonë. Theksimi i përdorimit të arsyes nga Kurani kërkonte krijimin e një teologjie që do t’i përdorte argumentet racionale e të ishte njëherësh e besimdrejtë dhe e pranueshme për bashkësinë islame të kohës. Ebu’l Hasan el-Eshariu ishte ndër të parët që u morë me kët çështje. Më pastaj, edhe Imam Haremejni dhe nxënësi i tij el-Gazali, bënë përpjekjet e tyre gjigante për të dhënë kontributet e tyre si në teologji në në filozofinë islame. El-Gazali pa pikë dyshimi është përfaqësuesi më eminent i kriticizmit filozofik në teologji. Kjo kohë, pra, njihet me kundërvënie të shpeshta dhe armiqësi të thella mes teologjisë dhe filozofisë dhe në të njëjtën kohë me përdorimin u gjuhëve të këtyre dy drejtimeve në favor të njëri tjetrit . Në Perëndim, ndër studiuesit më të spikatur që janë marrë m këtë periudhë por edhe me të tjera janë Salomo Munk, Moritz Steinchneider, Horowitz, Horten, Anawati, Garden e sidomos Wolfson, i cili ky i fundit, me studimin e tij The Philosophy of the Kelam, shënon kulmin e dijetarisë perëndimore mbi mendimin islam.

3. Periudha e tretë karakterizohet me vazhdimin e kundërvënieve të fuqishme mes teologjisë islame (kelam) dhe filozofisë. Është kjo kohë mes shekujve XI dhe XIII kur mendimet e Haremejnit, Gazaliut dhe Shehrestanit po përhapeshin me të madhe, e në të njëjtën, kur Ibn Sina (Avicena)po kritikohej pamëshirshëm për shkak të komentimeve të tija bravuroze që i kishte bërë filozofisë dhe logjikës së Aristotelit. Edhe pse në të dy drejtimet kishte zhvillime të mëdha, diskutimet e lira rreth filozofisë deri diku paralizoheshin nga ndjesitë psikologjike të inferioritetit që ishin të rrënjëzuara më parë në traditën islame. Megjithatë, këtu e tutje, në qarqet intelektuale islame dhe jo vetëm, me të madhe diskutohej roli i Shpalljes (revelata-vahj), cilësitë dhe atributet e Zotit, ndërsa Vullneti Hyjnorë ishte temë boshte në rrafshet intelektuale. Karakteristika kryesore e intelektualizmit të kësaj periudhe ishte përdorimi i argumenteve të filozofisë nga ana e teologëve dhe i argumenteve të teologjisë nga ana e filozofëve. Me një fjalë, teologët ishin filozofë të rryer sikur që filozofët ishin teologë të mbarë. Fahru’r-Raziu ishte shembulli më i mirë i këtij bipolariteti intelektual i cili ishte edhe një komentator i rryer i Kuranit. Ibn Halduni më vonë këtë periudhë do ta përshkuan si koha në të cilën vështirë të klasifikoje filozofin nga teologu dhe anasjelltas. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, edhe pse kelami ishte i pajisur me dijen dhe gjuhën e filozofisë të cilën gjuhë e përdorte për mrekulli, sulmet e kelamit (esharit) mbi filozofinë vazhduan deri në atë masë sa eklipsuan filozofinë peripatetike të përfaqësuar nga Ibn Sina dhe të tjerë, me gjithë që, filozofia islame arriti t’i mbijetojë këtij uragani të pamëshirshëm dhe qëndroi e fuqishme përballë të gjitha vështirësive. Ndër studiuesit modern perëndimorë të kësaj periudhe janë Joseph van Ess, David Burrel dhe Wilfred Madelung.

4. Në treqind vjetët e mëvonshëm pas kësaj periudhe, pra mes shekujve XIII dhe XVI, ndërmjet filozofisë dhe teologjisë u krijua një raport më paqësorë, sidomos me paraqitjen e shkollës së Përndritjes (Ishrakije) të kelamit. Sejid Xhurxhani, Davaniu, Kejseriu dhe el-Hili janë filozofët më të njohur, ndërsa Nasrudin Tusi më i madhi dhe më i shquari. Ky i fundit si një filozof dhe teolog i spikatur në të njëjtën kohë, ishte edhe njëri prej logjicientëve më të shkruar përgjatë gjithë historisë islame. Atë që e kishte thënë Ibn Halduni më herët në lidhje me teologët dhe filozofët, në këtë periudhë ishte mase evidente. Teologjia islame dhe filozofia shumë pak përplaseshin mes vete dhe u arrit një vetëdije se këto dy shkenca nuk bien ndesh me njëra tjetrën. Vlen të përmenden këtu studimet e bëra nga mendimtari japonez Toshiko Izutsu dhe nga dy francezët Christian Jambert, Gilbert Durand.

5. Nga shek. XVI dhe deri në ditët tona kjo kohë njihet me emrin periudha e pestë në raportet mes filozofisë dhe teologjisë islame. Karakterizohet sidomos me rolin dominant të mendimtarëve shiit në teologji dhe filozofi. Filozofët dhe teologët shiit nuk refuzuan shkollën esharite, përkundrazi e mbështeten dhe e zhvilluan në masë të madhe. Megjithatë, ka diçka që nuk ka kaluar pa u vërejt përgjatë kësaj periudhe. Ndonëse shkolla esharite konsiderohet shkolla më e fuqishme në teologjinë islame, shekujve të fundit është parë dhe eështë shkruar se esharizmi jo vetëm tek shiitët, por edhe tek sunnitet nuk ka përfaqësuar tërë mendimin fetarë, në atë kuptimin e krishterë mbi teologjinë islame. Argumentet e kësaj shkolle të mbështetura në Kuran dhe Sunnet, e sidomos metafizika dhe gnosa e kulluar e nxjerrë nga mësimet ezoterike të Islamit, janë vetëm disa nga elementet që e bëjnë shkollën esharite jo përfaqësuese e gjithë teologjisë islame. Kjo ndikoi që filozofë si Suhreverdiu të flasë për tema të thella në teologjinë islame pa iu referuar aspak shkencës së kelamit. Cilësitë Hyjnore, natyra e shpirtit njerëzor, dija e Zotit në partikularet, e të ngjashme, janë tema të cilat filozofët e kësaj periudhe i shtjelluan pa përdorur fare gjuhën e teologjisë. Ndër filozofët perëndimorë që kanë studiuar në veçanti teologjinë islame dhe ndërlidhjen e saj me filozofinë në këtë periudhë janë Ignaz Goldziher, A. J. Wensinck, Saul Horowitz, Erwin I. J. Rosenthal, Georges Vajda, Simon van der Bergh, Richard Walzer dhe Paul Kraus.

Dekadave të fundit, edhe pse një numër jo i vogël i myslimanëve mendojnë se shpallja, gjithandej Islami është një realitet i shoqëruar vetëm me besimin dhe veprimin ritual, gjë që fenë islame e reduktojnë në një praktikë të thatë dhe të ndaluar nga idetë përparimtare dhe nga veprimtaritë e mendjes, krijimtaria intelektuale islame po bënë përpjekje të zhbërjen e hendeqeve mes arsyes dhe asaj që quhet vetëm praktikë e fesë.

Së këndejmi duhet të themi se realiteti intelektualizmit në Islam është si ai i diellit; mund të eklipsohet, por kthehet gjithmonë si realitet i përhershëm. Filozofia në kuptimin e saj real, si frymë intelektuale e njeriut në përgjithësi, ajo përbën kërkimin e të vërtetës, të urtësisë, të një vizioni të së tërës dhe të një tejvështrimi në natyrën dhe shkaqet e gjërave. Filozofia në islam është realitet që përbën preokupim qendror, ashtu ka qenë dje, ashtu është sot, dhe do të mbetet preokupim qendror edhe nesër.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE