Problemet dhe (keq)qeverisja e Kamenicës

Problemet dhe (keq)qeverisja e Kamenicës

Rezultatet e këtij mandati qeverisës nuk kanë përmbushur premtimet dhe kërkesat e qytetarëve të Kamenicës. Në punën e ekzekutivit janë evidentuar shumë shkelje e mangësi, ndërsa Kuvendi ka qenë i tejet i kufizuar dhe nuk ka arritur të instalojë mekanizma për ta kontrolluar ekzekutivin.

Kamenica ka pasur një opozitë jounike dhe mjaft pasive, e cila shumë pak ka ngritur çështje dhe nuk ka dhënë alternativa për zgjidhjen e problemeve.

Amir Jakupi

Varfëria dhe papunësia po e godasin çdo ditë e më shumë popullatën e Kamenicës. Numri i të papunëve është vazhdimisht në rritje. Edhe ato pak punësime që bëhen, zgjasin pak muaj dhe janë të qëndrushme. Më bazë të të dhënave të Zyres komunale për Punësim, papunësia në Kamenicë ka shkuar në shifra shqetësuese, deri në 40 %.

Ndonëse komunë e vogël, Kamenica ka të punësuar hiq më shumë se 230 shërbyes civil. Punësimet partiake e familjare gjatë këtij mandati, kanë bërë që administrata e Kamenicës të jetë e mbingarkuar me më shumë se 100 punonjës. Akomodimet e militantëve në Administratë, por edhe largimet e jashtëligjshme nga puna (gjobat nga Gjykatat), kanë dëmtuar buxhetin komunal dhjetëra mijëra euro.

Furnizimi me ujë të pijshëm po del si problem i pazgjidhshëm në Kamenicë. Me mungesë uji sidomos gjatë verës përballet qyteti, por edhe lagjet përreth. Edhe pse janë investuar qindra mijëra euro për ujësjellës, ky problem akoma nuk është zgjidhur as pas 14 vitesh.

Arsimi çdo ditë e më shumë po nëpërkëmbet e degradohet. Ankesat më të mëdha gjatë këtij viti kanë qenë pikërisht nga mësimdhënësit. Në shumë raste atyre u është bërë e padrejtë për shkak të pikëpamjeve politike.

Kishte ndodhur që të punësuar me nga 30 vjet përvojë të jenë lënë jashtë sistemit, nga pesë arsimtarë të japin një lëndë në një shkollë, të punësohen profesor me drejtim në gjeografi që të japin Edukatë Qytetare dhe refuzohen kuadrot profesionale, paguhen mësimdhënës me rrogë të plotë dhe mbajnë vetëm gjysmën e orëve, si dhe të stërngarkohen shkollat me gjysmë-norma në prag të zgjedhjeve.

Edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme për të ndërmarrë masa, Inspektoriati komunal vazhdon të lejojë degradimin dhe shëmtimin e Kamenicës me ndërtime pa leje. Në Kamenicë janë mbi 100 objekte pa leje ndërtimi, prej tyre rreth 80 vetëm në qytet. Dhe, në 17 vjet, Inspeksioni nuk ka rrënuar asnjë objekt pa leje.

Kualiteti i dobët i investimeve është një problem tjetër. Edhe përkundër qëllimeve për të bërë investime në ndërtimin errugëve, kanalizimeve e ujësjellësve, në të shumtën e rasteve ato janë realizuar dobët dhe në mënyrë gjysmake.

Kamenica është e vetmja komunë e Kosovës që nuk ka gjinekolog. Deri para tre vjetësh ka punuar një gjinekolog i rregullt, por pas pensionimit të tij, kanë nisur telashet në këtë repart.

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Spitalin Regjional të Gjilanit arriti t’i sigurojë 3 gjinekologë nga Gjilani, të cilët me rotacion shërbyen në Kamenicë, pos pas disa problemeve me Drejtësinë ata u detyruan të tërhiqen dhe që nga ajo kohë në Kamenicë nuk është regjistruar asnjë lindje.

Banorët e fshatrave Shipashnicë e Desivojcë prej kohësh janë në hall me seperacionet që nxjerrin zhavorr nga lumenjtë që kalojnë nëpër këto lokalitete. Edhe përkundër ankesave drejtuar pushtetit lokal dhe atij qendror, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit atje po vazhdon.

Kuvendi Komunal

Në përgjithësi, anëtarët e Kuvendit Komunal nuk kanë treguar interesim për t’i trajtuar me meritë problemet dhe kërkesat e qytetarëve.

Ka munguar debati dhe shqyrtimi i hollësishëm i adresimeve në Kuvendin Komunal, sidomos për çështjet me interes të përgjithshëm, siç ishin orientimi dhe shpenzimi i buxhetit komunal, si dhe kërkimi i përgjegjësisë dhe llogaridhënies për dështimet e zbatimit të ligjit.

Përderisa anëtarët kanë qenë më të zëshëm në çështjet me interes direkt dhe jodirekt personal apo politik. Për keqardhje, anëtaret e Kuvendit të Komunës, gra, sidomos të subjekteve politike në pushtet kanë qenë tejet pasive në seanca

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE